Xi Jinping nis vizitën zyrtare në Rusi

Presidenti Xi Jinping ndodhet në Moskë për një vizite zyrtare tre-ditore që do të fokusohet në zhvillimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve.

Vizita e Xi vjen në një moment të përshtatshëm për presidentin Vladimir Putin. Rusia është subjekt i sanksioneve të ashpra të vendosura nga vendet perëndimore në përgjigje të pushtimit të Ukrainës.

Kina është një nga vendet e pakta që nuk e ka dënuar sulmin dhe po përpiqet të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund luftës, duke u paraqitur kështu si një partner i dobishëm për Rusinë.

”Të dy liderët do të mbajnë një takim jozyrtar ballë për ballë sot”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov. Bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve priten të martën.

Vizita është e para nga një udhëheqës i huaj që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​një urdhër arresti kundër Putinit për krime të dyshuara lufte në Ukrainë.

Ai akuzohet për deportim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi. Rusia thotë se fëmijët u dërguan të sigurt nga një zonë lufte.

Rusia, së bashku me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, nuk e njohin Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Më shumë se 120 vende të tjera kanë ratifikuar Statutin e Romës sipas të cilit u krijua gjykata.