Yjet e futbollit shprehin solidaritet me palestinezët

Disa futbollistë shprehën solidaritet me palestinezët pasi forcat izraelite sulmuan Xhaminë Al-Aksa, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ylli francez i Manchester United-ut, Paul Pogba, para ca diteve shfaqi mbështetje për popullin palestinez në një postim në mediat sociale.

“Bota ka nevojë për paqe dhe dashuri. Së shpejti do të jetë Bajram. Le ta duam të gjithë njëri-tjetrin. #PRAYFORPALESTINE”, tha Pogba në Instagram.

Në një postim në Twitter, Mame Thiam i Fenerbahçes citoi një ajet nga Kurani:

“O njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun”, surja Fatir, ajeti 5.

Mbi fotografinë, Thiam shkruajti: “Zemra ime është me ty Mesxhid Al-Aksa”.

Gjithashtu, Achraf Hakimi i Inter Milanit, Riyad Mahrez i Manchester City-t, Shkodran Mustafi i Schalke 04, Franck Ribery i Fiorentinës dhe Moussa Marega i Portos postuan në Twitter mesazhe solidarizimi me palestinezët.

Hakimi shkroi “#FreePalestine” në një postim në Twitter, ndërsa Riyad Mahrez shkroi “#Palestine #SaveSheikhJarrah”.

Mesut Ozil, ylli i klubit turk të futbollit Fenerbahçe, uroi të gjithë myslimanët në botë për Fitër Bajramin, ndërsa u dërgoi edhe mesazh mbështetjeje palestinezëve që janë të ekspozuar ndaj sulmeve të Izraelit.

Së bashku me një mesazh në Twitter, Ozil gjithashtu postoi një fotografi me Kubbetu-sahra (Kupola e Shkëmbit) i Xhamisë Al-Aksa.

“Të gjithë myslimanëve u uroj Fitër Bajramin. Le të pranohen agjërimi dhe lutjet tona në këtë muaj të bekuar. Lutjet e mia janë me ata që nuk mund ta festojnë Bajramin në paqe sot. Vëllezër në Palestinë, lutjet e mia janë me ju”, tha Ozil.

Futbollisti i Liverpool dhe Egjiptit Mohamed Salah u bën thirrje liderëve botërorë që ‘të sigurohen që dhuna dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm të ndalet menjëherë’.

Unë u bëj thirrje të gjithë liderëve botërorë, përfshirë Kryeministrin e vendit që ka qenë shtëpia ime për 4 vitet e fundit që të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për t’u siguruar që dhuna dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm të ndalet menjëherë. ‘Mjaft është mjaft’ – shtoi Salah /aa/mesazhi