Ymeri: Jemi të kërcënuar me luftë

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri të premten në një konferencë për media tha se agresioni i Serbisë karshi Kosovës nuk është i ri e as fundamentalisht i ndryshëm, pasi sipas tij, metodat mund të dallojnë herë pas here duke iu përshtatur rrethanave, por qëllimi e efekti i tyre vazhdimisht janë të njëjta.

Ai tha se pavarësisht nëse ndërhyrjet vijnë në formën e murit, trenit, Listës serbe, telekomunikacionit, energjisë, komunave me shumicë serbe, Zajednicës, strukturave ilegale e kriminale, qëllimi i tyre është i njëjtë, pamundësimi i Republikës së Kosovës dhe mos realizimi i sovranizimit të saj.

“Të gjitha këto ndërhyrje Serbisë iu mundësuan nga negociatat pa kushte e pa parime dhe koncesionet e vazhdueshme ndaj saj, si rrjedhojë e po këtyre negociatave. Këto na sollën këtu ku jemi. Rruga e negociatave dhe e koncesioneve ndaj Serbisë, si dhe eksponentët kryesor të kësaj rruge, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa, nuk janë zgjidhja, por problemi”, tha Ymeri.

Ai tha se nënshkruesit e “Zajednicës” nuk veprojnë për Kosovë sovrane, por për Kosovë me “Zajednicë”.

“Prandaj këta tre, me këtë mendësi, me këto synime e qëllime, duhet të largohen sa më shpejt nga pozitat e tyre institucionale, që t’i hapin rrugë Republikës së Kosovës. Zgjedhjet demokratike e ndryshimi rrënjësor i politikës institucionale, veçanërisht karshi Serbisë, janë rruga përpara. Jo ndërmarrjet a ndërhyrjet e pjesshme për interesa personale, të uzurpatorëve të Republikës. Kush më shumë e kush më pak, Thaçi, Veseli e Mustafa, dhe të tjerët si këta, kanë kontribuar herë drejtpërdrejt e herë në mënyrë indirekte në krijimin e gjendjes aktuale që e kemi”, u shpreh ndër të tjera Ymeri.

Sipas tij, dobësimi i vazhdueshëm i Kosovës prej çarmatosjes së UÇK-së, deri tek privatizimet e dialogu, de-industrializimi e uzurpimi i resurseve e kapaciteteve shtetërore, rrënimi ekonomik, e ka bërë atë një shtet që nuk mund të vetëmbrohet.

“Sot kur jemi të kërcënuar me luftë si asnjëherë më parë që prej vitit 1999, jemi njëkohësisht nën një regjim gllabërues të udhëhequr nga politikanë të shantazhueshëm e skajshmërisht të papërgjegjshëm ndaj të mirës së përgjithshme. Kosovës sot nuk i duhet lufta. Më shumë se kurrë kemi nevojë për forcim të Republikës, shtetndërtim sovran, bashkërendim kombëtar, punë, drejtësi e paqe. Serbia këtu ka qenë kolonizatore. Sot është ajo që mban një pjesë të territorit nën okupim dhe kontroll. Kosova dhe shqiptarët historikisht luftën e kanë pasur me Serbinë, jo me serbët”, tha ndër të tjera lideri i Vetëvendosjes.