Zaev: Ftesa për anëtarësimin në NATO një ditë historike

ATSH-AFP/ – NATO ftoi dje Maqedoninë të hapë negociatat për integrimin në Aleancën Atlantike, pas marrëveshjes me Greqinë për emrin e vendit.

“Sot është një ditë e madhe, një ditë historike”, theksoi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

“Partnerët dhe miqtë tanë na njohën. Angazhimi ynë i palëkundur është njohur dhe të gjitha kriteret e anëtarësimit janë respektuar. Portat për rrugën drejt NATO-s janë të hapura”, shtoi ai.

“Ne jemi të bindur të ftojmë qeverinë e Shkupit të fillojë diskutimet për anëtarësimit”, theksoi Stoltenberg në një konferencë shtypi gjatë një samiti të Aleancës në Bruksel.

“Pas përfundimit të të gjitha procedurave kombëtare për finalizimin e marrëveshjes për emrin, vendi do t’i bashkohet NATO-s si anëtari i 30-të”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.

Anëtarësimi në NATO duhet të miratohet me unanimitet nga 29 shtetet anëtare.

Më 17 qershor, Maqedonia dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje historike për të ndryshimin e emrit të ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë (ARYM) në “Maqedonia e Veriut” duke i hapur rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.

Një referendum është parashikuar në Maqedoni për këtë marrëveshje në fund të shtatorit.

Megjithatë, rezultati i referendumit mbetet i pasigurtë sepse opozita e djathtë nacionaliste në Maqedoni, kundërshton çdo kompromis me Athinën dhe do të bëjë thirrje të votohet “jo”.