Zaev ia prezantoi partnerëve marrëveshjen me Alternativën

Shkup: Kryeministri Zoran Zaev ka takuar mbrëmë partnerët e koalicionit të LSDM-së për t’i njoftuar në detaje për marrëveshjen me Alternativën.

Partitë partnere të LSDM-së kanë vlerësuar se Alternativa ka marrë shumë pozicione në Qeveri, duke filluar nga numri i ministrive por edhe drejtorive. Kryetari i PRSD-së Tito Petkovski theksoi se do të mbetet shije e hidhur për postet që ka marrë Alternativa, por megjithatë kjo duhet të përbihet sepse vendit nuk i duhen zgjedhje të parakohshme por përparim në eurointegrime.

“Do të mbetet një shije e hidhur se Alternativa po kërkon shumë që ta mbështesë qeverinë, por përkundër propozimit dhe kërkesave të tyre qëndron rreziku për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë personalisht mendoj se vendit nuk i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare”

Edhe kryetari i partisë serbe në koalicion me LSDM-në, Mirosllav Jovanoviq vlerëson se Alternativa ka marrë tepër pozicione dhe tha se edhe ata do kërkojnë një ministër pa resor në Qeverinë e re.

“Ne si parti kërkuam ministër pa resor. Nëse mund të marrin tjerët ministër pa resorë, edhe ne nuk do të heqim dorë. Alternativa mori tepër, mendoj se është e tepërt në krahasim me atë sa kishte Besa”

Qeveria njoftoi pas takimit se kryeministri Zaev i ka njoftuar partnerët e koalicionit për marrëveshjen me Alternativën, përgjegjësitë që merr kjo parti në Qeveri por edhe kërkesat e tyre politike të cilat janë inkorporuar në programin qeveritar.

“Kryeministri Zaev i njoftoi liderët e koalicionit për detajet nga marrëveshja me Alternativën, si dhe me përmbajtjen e dokumentit Parimet bazë për përmirësimin e programit të punës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili duhet të precizohet dhe të sqarohet me qëllim që të bëhet pjesë përbërëse e programit të ri qeveritar”

Qeveria e re bashkë me Alternativën do të ketë në krye për kryeministër të ri, kryetarin e ri të LSDM-së, i cili do të zgjidhet në zgjedhjet e brendshme gjatë kësaj fundjave. /shenja