Kërkimi për një sinjal të qartë të sëmundjes së Parkinsonit në aktivitetin kompleks të trurit ka çuar në një zbulim të rëndësishëm.
Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh, i udhëhequr nga Instituti Gjerman Max Planck, ka arritur të identifikojë modele specifike të valëve të trurit që pasqyrojnë me saktësi ashpërsinë e simptomave motorike, të cilat mund të përmirësojnë ndjeshëm terapitë ekzistuese, shkruan ScienceAlert.
Parkinsoni është një çrregullim që prek ganglionet bazale, një pjesë e trurit thelbësore për kontrollin e lëvizjes, raporton KosovaPress.
Sëmundja heq aftësinë për të filtruar informacionin e nevojshëm për lëvizje të sakta dhe të qëndrueshme, duke rezultuar në lëvizje të ngadalta, të ngurta dhe të dridhura që janë karakteristike për të prekurit.
Edhe pse studimet e mëparshme, të kryera duke përdorur elektroda të implantuara thellë në tru, konfirmuan një lidhje midis këtyre valëve dhe simptomave, interpretimi i saktë i këtyre sinjaleve ka qenë jashtëzakonisht i vështirë.
Dallimet midis pacientëve, kombinimet e simptomave dhe mungesa e grupeve të kontrollit të shëndetshëm e kanë bërë të vështirë krahasimin e aktivitetit të valëve të trurit dhe përcaktimin e një standardi të qartë “të sëmurë” kundrejt “të shëndetshëm”.
Për të kapërcyer këto pengesa, studiuesit kombinuan pesë grupe të ndryshme të dhënash të mbledhura nga 119 persona me sëmundjen e Parkinsonit.
Duke krahasuar ndryshimet në aktivitet midis ganglioneve bazale më të prekura rëndë dhe më pak rëndë brenda trurit të secilit individ, ata ishin në gjendje të “dëgjonin” ritme specifike të fshehura brenda zhurmës së përgjithshme të trurit.
“Mund ta mendoni trurin si një sallë koncertesh plot me muzikantë para provave”, shpjegon autori kryesor dhe neurologu Moritz Gerster.
“Disa grupe luajnë së bashku, duke krijuar një ritëm të qartë. Të tjerë praktikojnë vetëm, duke u përzier në ‘zhurmë’ jo-ritmike. Nëse matni vetëm vëllimin e përgjithshëm, e humbisni këtë ndryshim.”
Identifikimi i këtyre ritmeve të sakta mund të luajë një rol kyç në të ardhmen e trajtimit me stimulim të thellë të trurit.
Terapia mund të përshtatet në mënyrë dinamike me ritmet në ndryshim në trurin e pacientit në kohë reale – si një dirigjent që tani e di saktësisht se çfarë duhet t’i kushtojë vëmendje. Kjo mund të ndihmojë në rivendosjen e një shkalle të konsiderueshme të kontrollit motorik te të prekurit. Hulumtimi u botua në revistën eBiomedicine.








