Zelensky: Lufta do të përfundojë kur Ukraina të marrë gjithçka që i takon

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se lufta me Rusinë do të përfundojë kur Ukraina të rifitojë territoret, njerëzit, paqen, lirinë dhe zgjedhjet e saj.

Presidenti zhvilloi dje një takim online me studentë nga universitetet franceze.

“Lufta për popullin ukrainas do të përfundojë vetëm kur të marrim atë që është e jona. Është e vërtetë. E them hapur se nuk kemi nevojë për asgjë tjetër… Ne duam të rivendosim paqen në vendin tonë, në tokën tonë”, theksoi presidenti.

“Rusia gradualisht hoqi dhe mori të gjitha të drejtat tona, të drejtën për tokën tonë, të drejtën për të zgjedhur dhe të drejtën për të jetuar”, theksoi presidenti duke shtuar se tani “ne po luftojmë me jetët tona dhe po i humbasim ato për vendin”.

”Për hir të paqes në Ukrainë, ne jemi gati të dialogojmë me Rusinë që të mos jetë vonë, sepse me çdo Bucha, me çdo Mariupol, me çdo hap të tillë ku ka dhjetëra varre, përdhunime dhe vuajtje, me çdo hap i tillë, mundësitë dhe dëshira për zgjidhjen diplomatike të këtij problemi po humbet”, nënvizoi presidenti. /atsh