Zelenskyy vendos kushte për bisedime me Rusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vendosi kushtet për bisedime me Rusinë, duke i bërë thirrje Moskës që të respektojë Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe të paguajë kompensim për humbjet e shkaktuara nga lufta që vazhdon.

Duke iu drejtuar Konferencës së 27-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike përmes një video-lidhjeje, Zelenskyy përsëriti gjithashtu thirrjet e tij për rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës, ndëshkimin e çdo krimineli lufte dhe garanci se kjo nuk do të ndodhë më.

Në fillim të këtij muaji, gjatë një interviste për një media çeke, presidenti ukrainas tha se vendi i tij është i përgatitur të hyjë në negociata me Rusinë vetëm nëse forcat ruse largohen nga të gjitha pjesët e Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe zonat lindore të Donbasit, të kontrolluara de facto nga Rusia që nga viti 2014.

Muajin e kaluar, Zelenskyy nënshkroi një dekret që shpalli të pavlefshme aneksimin e pjesëve të Ukrainës nga Rusia dhe gjithashtu nënshkroi një dekret tjetër më 30 shtator që deklaronte “pamundësinë e negociatave” me presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas The Washington Post, administrata amerikane ka inkurajuar “privatisht” liderët ukrainas që të sinjalizojnë një qasje të hapur për të negociuar me Rusinë. /atsh