“Zëri i Ndërgjegjes – Për Gazën”

Bedri Syla

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi qofshin mbi Muhamedin a.s., familjen dhe shokët e tij.

Të dashur besimtarë!

Një nga fjalët më të fuqishme në Islam është “Ma’ruf” – që nënkupton të mirën, të drejtën, të bukurën dhe të dobishmen.

Aty ku këto vlera shpërfillen shfaqet e kundërta e tyre, pra ” Munkër” që do të thotë e keqe, e shëmtuar dhe e rremë.

Profeti (a.s.) ka thënë:

“E mirë është ajo që qetëson zemrën dhe me të cilën pajtohet shpirti yt. E keqe është ajo që e trazon zemrën dhe lë pas dyshime, edhe nëse të tjerët e quajnë të lejuar.” (Muslim)

Sot, zemrat tona janë të trazuara.

Sytë tanë shohin padrejtësi, mizori dhe urrejtje të pafund në Gaza.

Sot është dita e 714-të e luftës që ka lënë prapa:

• Më shumë se 65,000 të vdekur, shumica gra, fëmijë dhe civilë të pambrojtur.

• Rreth 17,000 fëmijë të vrarë.

• Mbi 163,000 të plagosur, shumë me pasoja të përjetshme.

• Mbi 1.9 milion të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

• Qindra të vdekur nga uria, dhe mijëra në rrezik.

• Mijëra të zhdukur nën rrënoja, pa ndihmë, pa zë, pa varr.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Kur bota hesht para kësaj tragjedie, atëherë është rrezik që të na përfshin dënimi dhe mallkim i Allahut i cili në këtë kontekst thotë:

“Nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga të këqijat që bënin. E keqe ishte ajo që vepronin.” (Maide, 79)

Por edhe në errësirë, ka dritë.

Njerëz me ndërgjegje nga e gjithë bota me fe dhe kombësi të ndryshme po ngrihen për t‘u solidarizuar me popullin e vuajtur palestinez.

Një shembull për këtë është edhe Flotilja “Sumud” e cila nuk kërkon pushtet apo pasuri – ajo bart humanitet dhe guxim për të thyer bllokadën dhe për të shpëtuar jetë.

Pak javë më parë, një imam i moshuar në Gaza, doli në minber dhe tha vetëm kaq:

“O njerëz, unë jam i uritur dhe nuk kam mundësi të flas. Edhe ju jeni të uritur dhe nuk keni mundësi të dëgjoni. Thirrne ikametin për namaz!”

Ky ishte fjalimi më i thellë që mund të thuhet në një luftë ku uria ua merr edhe zërin.

Sot, unë do të thosha:

“O vëllezër dhe motra , unë jam i tronditur nga ajo që po shohim atje. Nuk mund të flas më shumë. Edhe ju jeni të lënduar, të mbingarkuar, dhe nuk mund të përballoni të dëgjoni më shumë…”

Lusim Allahun t’i ndihmojë vëllezërit dhe motrat tona në Gaza.

Lusim Allahun t’i shpërblejë ata që nuk heshtin përballë padrejtësisë.

Lusim Allahun të na bëjë nga ata që e mbrojnë të drejtën dhe tregojnë mëshirë.

Amin.

Hoxhë Bedri Syla

E premte, 19.09.2025, Troisdorf