Ballina Lajmet Kosovë Zëvendësministri në listë të uzurpatorëve

Zëvendësministri në listë të uzurpatorëve

Shukri Maxhuni për 12 vjet kishte jetuar në një banesë të uzurpuar në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pronë e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB)
Por, pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përmes një vendimi në dhjetor të vitit të kaluar atë e emëroi zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë.

Gazeta “Zëri” ka siguruar listën e uzurpatorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), në të cilën figuron edhe emri i Shukri Maxhunit. Pronën e uzurpuar ai e mbajti nga viti 2003 deri në vitin 2015, derisa largimi nga banesa ndodhi vetëm pas vendimit të Gjykatës.

Zyrtari ligjor në NPB, Genc Hundozi, e ka konfirmuar se Shukri Maxhuni figuron në listën e uzurpatorëve që nga paraqitja e padisë në vitin 2005 e deri në ditën e lirimit të banesës në korrik të vitit të kaluar.

Madje ai ka thënë se për ketë rast ka edhe një vendim gjykate.“Lënda C. nr. 2326/05, e cila ka të bëjë me lirimin e banesave nga njerëzit dhe sendet në lagjen ‘Dardania’, objekti 9/4, hyrja e 4-t, banesat me nr. 13, 14, 15, 16, 17 dhe 18, është ekzekutuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë më datën 10.07.2017 përmes zyrës përmbarimore të përmbaruesit privat Vais Laë me seli në magjistralen Prishtinë – Shkup”, ka thënë Hundozi