Zgjedhjet historike në Kolumbi sigurohen nga 116 mijë ushtarë

Në Kolumbi sot mbahen zgjedhjet historike parlamentare në të cilat mbi 36 milionë votues të regjistruar, zgjedhin përbërjen e re, të dy Dhomave të Parlamentit të Kolumbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjithsej 11.231 vendvotime u hapën me kohë në ora tetë sipas kohës lokale ndërkohë që mbyllja është paralajmëruar për në ora 17:00.

Doma e Lartë e Parlamentit të Kolumbisë, Senati, numëron 107 ndërsa Dhoma e Ulët numëron 171 përfaqësues të popullit, të cilët gëzojnë një mandat katër vjeçar.

Zgjedhjet në Kolumbi mbahen disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes paqësore më të cilën iu dha fund luftës 50 vjeçare, dhe në të njëjtat për herë të parë merr pjesë edhe lëvizja rebele FARC, e cila garon si parti politike.

Marrëveshja paqësore e nënshkruar i garanton FARC-ut nga pesë ulëse të garantuara në dy dhomat e Parlamentit.

Në garë për Senatin marrin pjesë 944 kandidatë ndërsa për Dhomën e Ulët, 1.793 sosh.

Zgjedhjet e sotme mbahen nën masa të rrepta të sigurisë për çka janë angazhuar 116 mijë ushtarë. Masat e sigurisë janë më të theksuara në rajonet Norde de Santander dhe Cauca në të cilat ka grupe militante aktive.

Ecurinë e procesit zgjedhor do ta monitorojnë edhe organizata ndërkombëtare por edhe ekipe nga sektori joqeveritar i vendit.

Në kuadër të masave të sigurisë, Kolumbia ka mbyllur kufirin me Venezuelën ndërsa hapja është paralajmëruar për të hënën.