Zgjedhjet në Podujevë do të mbahen nesër pavarësisht situatës me koronavirusin

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur në mbledhjen e mbajtur sot se zgjedhjet në Podujevë do të mbahen.

Këtë e ka bërë të ditur vet shefja e KQZ-së, Valdete Daka duke thënë se ka kontaktuar të gjitha institucionet relevante lidhur me çështjen dhe nuk ka ndryshim të rekomandimeve, shkruan lajmi.net.

“Siç e dini pas situatës që është krijuar me rastin e konfirmimt të dy rasteve të koronavirusit, unë kam komunikuar me të gjitha institucionet relevante edhe me IKSHPK-në, edhe me zyrën e Presidentit edhe përfaqësues të qeverisë dhe meqenëse nga IKSHPK nuk ka ndryshim të rekomandimeve, do të vazhdohet me planin operacional. Pra janë ngritur çështje gjatë ditës së djeshme se a do të ketë anulim ose shtyerje të zgjedhjeve, ne meqenëse si institucion jemi kompetent t’i organizojmë zgjedhjet, kemi kontaktuar me të gjithë ata që janë relevant sa i përket çështjeve shëndetësore dhe meqenëse rekomandimet nuk janë ndryshuar, nuk është ngritur ndonjë çështje tjetër ne vazhdojmë sipas planit operacional.”, ka thënë Valdete Daka.

Në anën tjetër është bërë e ditur se përveç fletëvotimeve dhe mjeteve të nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve, janë marrë edhe masa shtesë me dezinfektues dhe mjete të tjera mbrojtëse.

Qytetarët janë lutur t’i zbatojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ruajnë qetësinë e mos të shkaktojnë panik.