Zjarr në Elkos Center, tetë persona helmohen nga tymi, dërgohen në spital

Tetë persona kanë kërkuar tretman mjekësor në emergjencën e Spitalit të Pejës, për shkak të zjarrit të madh në depot dhe qendrën tregtare ELKOS Center në Pejë.

Kështu kanë bërë të ditur nga Spitali i Pejës përmes një statusi në rrjetin social në Facebook.

Sipas njoftimit, pacientët janë duke u trajtuar dhe gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe janë raste kryesisht të helmuar nga tymi.

“Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë deri më tani janë duke u trajtuar 8 pacientë nga rasti i djegies së një objekti në Pejë.

Pacientët janë duke u trajtuar tek Spitali ynë dhe gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe janë raste kryesisht të helmuar nga tymi”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në një prononcim për Telegrafin doktori i emergjencës Besnik Ibraj, fillimisht tha se katër persona kanë kërkuar tratman mjekësor pasi janë helmuar nga dioksidi i karbonit, për shkak të zjarrit të madh.

Ai tha se gjendja e tyre për momentin është stabile.

“Katër persona janë të helmuar nga dioksidi i karbonit, gjendja e tyre është stabile për momentin”, ka thënë Ibraj.

Ndërkaq, Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka bërë të ditur për Telegrafin se ende po vazhdojnë të jenë në flakët e mëdha të zjarrit depot dhe qendra tregtare ELKOS Center në Pejë.

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij, në fillim janë përfshi nga flakët e zjarrit depot, më vonë edhe qendra tregtare ELKOS Center në Pejë.

Ai po ashtu bëri të ditur se në vendngjarje janë të gjithë njësitë e zjarrfikësve nga të gjitha rajonet e vendit.

“Njëherë depotë janë përfshi nga flakët, pastaj është përfshi nga zjarri edhe qendrat tregtare ELKOS-it. Në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitë e zjarrfikësve nga të gjitha rajonet e tjera”, ka thënë Gashi.