Zjarri në rajonin Evros të Greqisë, më i madhi në 20 vjetët e fundit

Observatori Kombëtar i Athinës ka bërë të ditur se zjarri pyjor që shpërtheu të shtunën e kaluar në rajonin verilindor Evros të Greqisë është më i madhi i vendit në dy dekadat e fundit, transmeton Anadolu.

Duke elaboruar të dhënat e ofruara nga shërbimi hartografik “Copernicus” i Komisionit Evropian, observatori tha se 292.587 hektarë sipërfaqe pyjore janë shndërruar në hi nga zjarret në zonat e Aleksandoupolis dhe Dadia të rajonit deri në mesditën e 23 gushtit.

Ai shtoi se 1,7 milion hektarë sipërfaqe pyjore janë djegur në vend në 16 zjarre të mëdha që nga viti 2007 dhe se ai në Evros është më i madhi.

Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, tha në platformën sociale “X”, e njohur më parë si Twitter, se zjarret në Aleksandropolis janë më të mëdhatë me të cilat është përballur ndonjëherë Bashkimi Evropian (BE).

“Ne duhet të vazhdojmë të forcojmë përpjekjet kombëtare dhe kolektive të parandalimit dhe gatishmërisë në funksion të sezoneve më brutale të zjarreve”, shtoi ai.

Zjarret në Greqi, të ndihmuara nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, kanë vazhduar për të gjashtën ditë.