Zvicra refuzon opsionin e gjinisë së tretë

Qeveria e Zvicrës hodhi poshtë sot idenë e futjes së opsionit të gjinisë së tretë ose pa gjini për të dhënat zyrtare, një qëndrim që ndryshon nga ai i disa vendeve fqinje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu përgjigjur dy propozimeve nga Parlamenti, Këshilli Federal qeverisës tha se “modeli binar gjinor ende është i rrënjosur fuqishëm në shoqërinë zvicerane”.

“Parakushtet sociale për futjen e gjinisë të tretë ose për heqjen e përgjithshme të regjistrimit gjinor në regjistrin civil aktualisht nuk zënë vend”, thuhet më tej.

Këshilli Federal shtoi se opsione të tilla kërkojnë ndryshime “të shumta” në Kushtetutën e Zvicrës dhe ligjet si në nivel kombëtar ashtu edhe në 26 kantonet (shtetet) e vendit. Aktualisht, personat regjistrohen në regjistrin civil si meshkuj apo femra, pa mundësi tjetër.

Zvicra ka një sistem politik të pazakontë në të cilin katër parti nga e majta në të djathtën nacionaliste janë të përfaqësuara në qeveri dhe mbahen referendume të shpeshta për të gjitha llojet e çështjeve.

Në vitin 2018, Qeveria e Gjermanisë miratoi opsionin e gjinisë së tretë për të dhënat zyrtare, duke lejuar që njerëzit të regjistrohen si “të ndryshëm”.

Gjermania respektoi një vendim të vitit të kaluar nga gjykata më e lartë e vendit, e cila vendosi që njerëzit duhet të lejohen të regjistrohen në regjistra si meshkuj dhe femra.

Po ashtu edhe në Austri, gjykata federale vendosi në vitin 2018 që autoritetet duhet të lejojnë që njerëzit të regjistrohen në regjistrat zyrtare si diçka tjetër përveç meshkuj apo femra, nëse ata dëshirojnë. Megjithatë, ajo nuk e pa të nevojshme të ndryshojnë ligjin ekzistues të vendit.