Ministri i Mbrojtjes i Zvicrës, Martin Pfister, ka kritikuar SHBA-në dhe Izraelin për sulmet ajrore kundër Iranit, duke theksuar se veprimet e tyre, ashtu si edhe ato të Teheranit, shkelin të drejtën ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
“Amerikanët dhe Izraeli e kanë sulmuar Iranin nga ajri. Duke vepruar kështu, ata, ashtu si edhe Irani, kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare”, tha Pfister, duke u bërë thirrje palëve ndërluftuese të ndalin dhunën dhe të mbrojnë popullsinë civile.
Sipas gazetës SonntagsZeitung, ai gjithashtu paralajmëroi se Evropa mund të tërhiqet në konflikt, jo vetëm përmes angazhimit ushtarak konvencional, por edhe përmes luftës asimetrike, siç janë sulmet terroriste.
“Ekziston rreziku i sulmeve terroriste në Zvicër. Përveç kësaj, lufta mund të shkaktojë një valë refugjatësh që do të arrijë edhe tek ne”, tha Pfister.
Teksa ai nuk beson se Zvicra është drejtpërdrejtë e kërcënuar nga raketat iraniane me rreze të gjatë, Pfister tha se mundësia e dëmeve kolaterale nuk mund të përjashtohet.
“Aktualisht nuk kemi asgjë për t’u mbrojtur nga sulmet me rreze të gjatë”, tha ai.
Ai theksoi nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë që shkon përtej përgatitjes thjesht ushtarake, duke përmendur rëndësinë e policisë dhe shërbimeve të inteligjencës.
Ministri zviceran tha se vlerësimet e kërcënimeve janë nënvlerësuar në dekadat e fundit, duke shtuar: “Shoqëria jonë e zhvilluar me mirëqenie është ende shumë larg konflikteve aktuale. Kjo luftë, sado e keqe që është, mund të nxisë gjithashtu një rishqyrtim në këtë vend, që është urgjentisht i nevojshëm”.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm në shkallë të gjerë kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri tani më shumë se 1.200 persona, përfshirë liderin suprem iranian Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme të gjera, duke shënjestruar baza amerikane, objekte diplomatike dhe personel ushtarak në të gjithë rajonin, si dhe disa qytete izraelite.







