​Mblidhet Komiteti i koronavirusit, ja çfarë kërkoi Kurti

Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19 është mbledhur pasditen e sotme në të cilin takim mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Në këtë takim u vlerësua se situata epidemiologjike sa i përket COVID-19 në Kosovë është e qetë, por se kjo nuk guxon të shndërrohet në neglizhencë të masave në fuqi kundër COVID-19.

Kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se zbatimi i masave kundër COVID-19 është çështje urgjente dhe se çfarëdo lirimi i masave është i lidhur me zbatimin e masave në fuqi.

“Kryeministri tërhoqi vërejtjen se prania e variantit Omicron të SARS COV-2 në shtete të ndryshme dhe mosrespektimi me përpikëri i masave në fuqi mund t’i përmbys të arriturat e deritanishme në luftën kundër COVID-19”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Ministri Rifat Latifi ka deklaruar se zbatimi me disiplinë i masave në fuqi, të cilat janë proporcionale në raport me gjendjen ekzistuese epidemiologjike, do të ketë dy rezultate të prekshme.

“Do ta na ndihmojë të mbajmë numrin e rasteve sa më të vogël, duke mos e ngarkuar personelin dhe infrastrukturën spitalore, rrjedhimisht edhe uljen e shpenzimeve kundër COVID-19 dhe do të ndikojë në nxitjen e vaksinimit të mëtejmë të popullatës me vaksinën kundër COVID-19, në veçanti të asaj kategorie që për arsye të ndryshme ende nuk ka marrë dozën e parë apo të dytë të vaksinës”, citohet Latifi.

Ministri ka folur edhe për rëndësinë e fuqizimit të vaksinimit kundër COVID-19, duke i bërë thirrje popullatës që të vaksinohen dhe ta kompletojnë këtë proces të rëndësishëm, në këtë kohë, kur varianti Omicron është regjistruar në disa shtete dhe përhapja e tij është mjaft e shpejtë.