Gjithsej 128 gazetarë janë vrarë në mbarë botën gjatë vitit 2025, mbi gjysma e tyre në Lindjen e Mesme, njoftoi të enjten Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ).
Sekretari i përgjithshëm i IFJ-së, Anthony Bellanger, tha për AFP se ky numër përfaqëson “një alarm të kuq global” dhe jo thjesht statistika. Ai shprehu shqetësim të veçantë për territoret palestineze, ku janë regjistruar 56 gazetarë të vrarë gjatë vitit, në vazhdën e luftës së Izraelit në Gaza.
“Një numër kaq i madh vrasjesh në një kohë kaq të shkurtër dhe në një zonë kaq të vogël nuk është parë më parë,” tha Bellanger.
Gazetarë janë vrarë gjithashtu në vende si Jemeni, Ukraina, Sudani, Peruja dhe India. IFJ dënoi pandëshkueshmërinë për autorët e këtyre sulmeve, duke paralajmëruar se mungesa e drejtësisë inkurajon dhunën ndaj gazetarëve.
Ndërkohë, IFJ raportoi se 533 gazetarë ndodhen aktualisht në burgje në mbarë botën, më shumë se dyfish krahasuar me pesë vite më parë. Kina kryeson listën me 143 gazetarë të burgosur, përfshirë edhe në Hong Kong.
Sipas IFJ-së, dallimet me organizata të tjera si Reporterët pa Kufij dhe UNESCO lidhen me metoda të ndryshme të numërimit të viktimave. /mesazhi






