Katërmbëdhjetë shtete dhe tri organizata rajonale dënuan të dielën deklaratat e ambasadorit të SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, i cili tha se do të ishte e pranueshme nëse Izraeli do të ushtronte kontroll mbi territore që u përkasin shteteve arabe, përfshirë Bregun Perëndimor të pushtuar”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët, ministritë e jashtme të Turqisë, Egjiptit, Jordanisë, Libanit, Indonezisë, Kuvajtit, Palestinës, Katarit, Omanit, Pakistanit, Bahrejnit, Arabisë Saudite, Sirisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe shprehën “dënim të fortë dhe shqetësim të thellë” për këto komente.
Deklarata u publikua gjithashtu me pjesëmarrjen e sekretariateve të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, Ligës Arabe dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
Ministritë i cilësuan komentet e të dërguarit amerikan si “të rrezikshme dhe nxitëse”, duke theksuar se ato përbëjnë “shkelje flagrante të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara” dhe paraqesin kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ato thanë se këto deklarata bien ndesh drejtpërdrejt me vizionin e paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe me Planin Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza, i cili bazohet në frenimin e përshkallëzimit dhe krijimin e një horizonti politik për një zgjidhje gjithëpërfshirëse që garanton shtet të pavarur për popullin palestinez.
Nënshkruesit theksuan se “plani mbështetet në promovimin e tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore”, duke paralajmëruar se përpjekjet “për të legjitimuar kontrollin mbi tokat e të tjerëve minojnë këto objektiva, ushqejnë tensionet” dhe përbëjnë nxitje, e jo avancim të paqes.
Ministritë “riafirmuan se Izraeli nuk ka sovranitet mbi Territoret e Pushtuara Palestineze apo mbi ndonjë tokë tjetër arabe të pushtuar”, thuhet në deklaratë. Ato përsëritën refuzimin e çdo përpjekjeje për aneksimin e Bregut Perëndimor ose ndarjen e tij nga Rripi i Gazës, kundërshtimin e fortë ndaj zgjerimit të vendbanimeve kolone dhe refuzimin kategorik të çdo kërcënimi ndaj sovranitetit të shteteve arabe.
Deklarata paralajmëroi se “vazhdimi i politikave ekspansioniste dhe masave të paligjshme të Izraelit vetëm sa do të ndezë më tej dhunën dhe konfliktin në rajon dhe do të minojë perspektivat për paqe”.
Nënshkruesit bënë thirrje për ndaljen e “deklaratave nxitëse” dhe rikonfirmuan “përkushtimin ndaj të drejtës së patjetërsueshme të popullit palestinez për vetëvendosje dhe për krijimin e një shteti të pavarur” sipas kufijve të 4 qershorit 1967, si dhe për përfundimin e pushtimit të të gjitha tokave arabe.
– I dërguari amerikan mbron pretendimet territoriale ekspansioniste të Izraelit
Mike Huckabee, i emëruar ambasador i SHBA-së në Izrael në prill 2025, është një i krishterë ungjillor që më herët ka folur për pretendime ekspansioniste, duke iu referuar asaj që e ka quajtur “e drejtë hyjnore” e Izraelit në Bregun Perëndimor.
Ai ka pretenduar se Izraeli ka “të drejtë biblike” mbi tokat nga lumi Nil deri te Eufrati, duke thënë në një podkast të publikuar të premten: “Do të ishte në rregull nëse ata (Izraeli) do t’i merrnin të gjitha”.
Huckabee i bëri këto komente në një intervistë me gazetarin amerikan Tucker Carlson, ku mbrojti veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës dhe shprehu mbështetje për idenë e “providencës hyjnore” që i jep Izraelit kontroll mbi rajonin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha kanalit i24 gushtin e kaluar se ndihet “shumë i lidhur” me vizionin e Izraelit të Madh, duke thënë se e sheh veten “në një mision historik dhe shpirtëror”, që përfshin “breza hebrenjsh që kanë ëndërruar të vijnë këtu dhe breza që do të vijnë pas nesh”.
“Izraeli i Madh” është një term i përdorur në politikën izraelite për të përshkruar zgjerimin e territorit të Izraelit për të përfshirë Bregun Perëndimor, Gazën dhe Lartësitë e Golanit të Sirisë, me disa interpretime që përfshijnë edhe Gadishullin e Sinait të Egjiptit dhe pjesë të Jordanisë.






