23 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Pas pikut më të ulët prej 52 raste aktive me COVID-19, numri i të prekurve gjatë ditëve të fundit në Shqipëri ka nisur të rritet duke i kaluar 200.

Ministria e Shëndetësisë thotë se nga mbi 2500 testime të kryera ditën e fundit, kanë rezultat të prekur 23 persona. Ndërkohë një ditë më parë u regjistruan 43 raste të reja duke shënuar numrin më të lartë ditor që prej datës 14 maj (49 raste).

Aktualisht janë 210 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin kurse në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 5 pacientë.

Ndërkohë që prej 26 qershorit në Shqipëri nuk ka asnjë humbje jete nga coronavirus, kurse që prej fillimit të pandemisë janë regjistruar 2 456 të vdekur.

Rritja e rasteve të reja ditore vjen në një kohë kur ka dyshime për praninë e variantit “Delta”, ndërsa zyrtarisht një fakt i tillë ende nuk është konfirmuar.