43 për qind e grave shtatzëna dhe me fëmijë në gji në Gaza janë të kequshqyera, paralajmëron Save the Children

Organizata ndërkombëtare Save the Children ka bërë të ditur se 43 për qind e grave shtatzëna dhe me fëmijë në gji që u ekzaminuan në klinikat e saj në Gaza gjatë korrikut rezultuan të kequshqyera – një situatë që rrezikon seriozisht jetën e tyre dhe të foshnjave të tyre.

Nga 747 gra të ekzaminuara në gjysmën e parë të muajit korrik, 323 u diagnostikuan me kequshqyerje. Sipas organizatës, ky numër është trefishuar krahasuar me muajin mars, kur Izraeli rivendosi një bllokadë të plotë ndaj Gazës.

Kushtet ekstreme në enklavë – mungesë thuajse totale e ushqimit, ujit dhe karburantit – kanë çuar në përkeqësim të shëndetit të grave dhe paaftësinë e tyre për të ushqyer me gji foshnjat. Disa nëna, të ndërgjegjshme për rrezikun që u kanoset, kanë kërkuar rezerva me qumësht pluhur në rast se ato vetë humbin jetën.

Në mungesë të qumështit të gjirit dhe për shkak të ndalimit të hyrjes së formulave për foshnje në Gaza, disa nëna të kequshqyera janë detyruar t’u japin fëmijëve ujë të përzier me qiqra të bluara apo tahini.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në Gaza ka rreth 55,000 gra shtatzëna, ndërsa situata humanitare po përkeqësohet çdo ditë. Save the Children paralajmëron se kriza e urisë dhe mungesa e ndihmës po vë në rrezik të menjëhershëm brezin e ri në këtë territor të rrethuar. /mesazhi