500 kilogramë drogë me destinacion Turqinë kapet në Vlorë, në pranga shtatë persona

Policia e Vlorës ka organizuar një operacion antidrogë gjatë mesnatës dhe në orët e para të mëngjesit, në fund të së cilit janë sekuestruar rreth 500 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.

Sipas drejtuesve të policisë së qytetit bregdetar, lënda narkotike u kap në një automjet tip furgon, teksa po transportohej për t’u ngarkuar në gomone, ndërkohë që destinacioni përfundimtar ishte Turqia.

Me mbështetjen e forcave operacionale të DVP, Vlorë dhe forcave RENEA, u bë i mundur arrestimi i shtetasve, Idriz Meminaj, Romir Meminaj, Emanuel Meminaj, Nertin Gjoni, Xhuliano Gjoni, Laurent Likaj dhe Altin Meçi.

Këta persona vepronin në mënyrë të organizuar në aktivitetin kriminal të trafikut të lëndëve narkotike, ndërkohë që disa të tjerë janë në kërkim, por emrat e tyre nuk bëhen me dije për arsye hetimore.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe disa shtetas të tjerë, banues në Vlorë dhe në Tiranë, gjeneralitetet e të cilëve nuk bëhen me dije, për arsye hetimore.

Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni rezultoi se këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar, për të trafikuar lëndë narkotike cannabis sativa, drejt shtetit turk, nëpërmjet rrugëve detare.

Këta shtetas kishin përpunuar dhe ambalazhuar lëndën narkotike në magazinën e 2 vëllezërve Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj, dhe më pas, me automjetin e drejtuar nga shtetasi Nertin Gjoni, po e transportonin në afërsi të vijës ujore, për ta transportuar më pas me rrugë detare, drejt Turqisë.

Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të forcave pjesëmarrëse në këtë operacion është bërë e mundur që në lagjen “11 Janari”, të bllokohet automjeti që drejtohej nga shtetasi Nertin Gjoni.

Gjatë kontrollit në automjet, Policia gjeti dhe sekuestroi 34 pako të madhësive të ndryshme, me lëndë narkotike cannabis sativa në formë boçeje, me peshe totale 500 kilogramë.

Operacioni ka vijuar me kontrollin e magazinës, në fshatin Trevllazër, ku janë kapur në flagrancë shtetasit Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj.

Gjithashtu, në vijim të operacionit janë kapur dhe disa shtetas të përfshirë në këtë rast, si dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve në banesa janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri, 4 automjete dhe 8 celularë.

Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni ka rezultuar se këta shtetas vepronin të organizuar në formën e një grupi , për të prodhuar, ambalazhuar dhe trafikuar lëndë narkotike kanabis, jashtë vendit.

Operacioni është në vijim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.