6 milionë afganë në prag të urisë, paralajmëron OKB

Kombet e Bashkuara paralajmëruan të mërkurën se 6 milionë njerëz në Afganistan përballen me një nivel emergjent të pasigurisë ushqimore në mes të mungesës së ndihmës së mjaftueshme humanitare për shkak të mungesës së fondeve.

“Goditjet ekonomike, të cilat po i përjetojmë këto ditë janë shtytësit kryesorë për nevojat humanitare,” u tha gazetarëve në selinë e OKB-së nga Kabuli, zëvendës përfaqësuesi special i OKB-së, dhe koordinatori humanitar për Afganistanin Ramiz Alakbarov.

Ai tha se dimri po afron me ulje të temperaturave në zona të caktuara të vendit deri në minus 25 gradë celcius.

Po ashtu Shefi i Kombeve të Bashkuara për ndihmë humanitare u bëri thirrje donatorëve që të rinisin financimin e Afganistanit, duke paralajmëruar rrezikun nga uria.

Sipas Martin Griffiths, mbi gjysma e popullsisë afgane prej 39 milionë banorësh ka nevojë për ndihmë humanitare.

“Varfëria po thellohet, popullsia ende po rritet dhe autoritetet de fakto nuk kanë buxhet për të investuar për të ardhmen e tyre. Për ne është e qartë se nevojitet që të rikthehet njëfarë mbështetje e zhvillimit”, tha Griffiths gjatë Këshillit të Sigurimit të OKB-së një ditë më herët. /mesazhi