Ballina Lajmet Rajon dhe Botë 62 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite që nga agimi, thotë Mbrojtja...

62 palestinezë të vrarë nga forcat izraelite që nga agimi, thotë Mbrojtja Civile e Gazës

Të paktën 62 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga agimi i sotëm, ka bërë të ditur Mahmud Bassal, zëdhënës i Shërbimit të Emergjencës në Gaza, për agjencinë AFP.

Ai tha se gjashtë persona u vranë në jug të Gazës pranë një pike shpërndarjeje të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), ndërsa një tjetër u vra në një incident të ndarë në qendër të territorit – ngjarje për të cilën ushtria izraelite ka mohuar se ka qëlluar.

Sipas Bassal, tre persona të tjerë u vranë nga një sulm teksa prisnin ndihma në jugperëndim të qytetit të Gazës.

Dhjetë persona humbën jetën nga pesë sulme të ndryshme izraelite pranë qytetit Khan Younis në jug të Gazës, ku raportohen edhe bombardime të vazhdueshme me artileri, shtoi ai.

Në veri të Gazës, 30 persona u vranë nga gjashtë sulme të ndara ajrore, përfshirë një peshkatar që, sipas Bassal, u qëllua nga anijet luftarake izraelite. Tetë prej viktimave ndodheshin në shkollën “Osama Bin Zaid”, e cila strehonte të zhvendosur.

Ndërkohë, në kampin e refugjatëve al-Bureij në qendër të Gazës, 12 persona u vranë në dy sulme të ndryshme izraelite. /mesazhi