81-vjeçari që ende merr pjesë në gara vrapi

Hazim Kukuruzoviq nga Gradaçaci, qytezë që ndodhet në pjesën verilindore të Bosnje e Hercegovinës, me 81 vjet është një nga vrapuesit më të vjetër aktivë në BeH dhe sigurisht me stilin e jetës dhe energjinë e tij, ai mund të jetë frymëzim për shumë më të rinj.

Kukuruzoviq, një vrapues rekreativ dhe alpinist 81-vjeçar, ish-inxhinier, i cili jeton prej vitesh në Sarajevë, filloi vrapimin dhe atletikën në moshë të re kur u dashurua me sportin dhe shpesh fitoi medalje në gara.

Siç tha ai në një intervistë për Anadolu Agency (AA), kur filloi jetën familjare dhe ndërtimin e karrierës, ai mbeti disi i etur për t’iu përkushtuar shumë më tepër sportit dhe aktiviteteve fizike.

“Mezi prisja të tërhiqesha dhe menjëherë fillova me alpinizëm dhe vrap. Ja, kanë kaluar njëzet vjet kështu dhe ende po e shijoj këtë. Nuk dua të shëtis fare, dua të vrapoj dhe të vrapoj. Është fantazi, është bukuri, kënaqësi, sidomos në këtë moshë”, tha ky adhurues i vrapimit alpinizmit.

Vrapimi, antidepresivi më i mirë

Motoja e tij është se vrapimi është antidepresivi më i mirë dhe thotë se njerëzit duhet të lëvizin shumë më tepër në epokën e sotme.

“Nëse mund të qëndroni në këmbë, mos u ulni. Nëse mund të ecni, mos qëndroni në këmbë. Nëse mund të vraponi, mos ecni. Unë këtë e përdor shumë. Ilaqi më i mirë kundër depresionit është vrapimi. Kur kam ndonjë problem në jetë, familja ose puna, vrapoj dhe këto probleme më pas duket më të vogla. Vrapimi më qetëson dhe më relakson”, shtoi Kukuruzoviq, duke theksuar se falë aktiviteteve sportive nuk përdor fare barëra.

“Nuk marr asnjë ilaç, përveç mineraleve, suplementeve, vitaminave, hekurit. Ja, edhe në moshën 81-vjeçare, ndihem i shëndetshëm dhe me disponim të mirë”, tha ai.

Vetëm gjatë njëzet viteve të fundit, sa është në pension, ai vrapoi rreth 40 gara zyrtare, përfundoi rreth 30 sllallome të skive dhe fitoi medalje të shumta që zbukurojnë murin e dhomës së tij, të cilën ai e quan “dhoma e motivimit”.

Ai i kushton shumë rëndësi dietës së shëndetshme, duke theksuar se më së shumti i pëlqen misri, frutat dhe perimet e freskëta, qumështi shtëpiak, duke besuar se kjo i ka kontribuar shëndetit jashtëzakonisht të mirë.

Kukuruzoviq apelon të gjithë për sa më shumë aktivitet fizik, duke u shprehur: Shtrirja është sëmundje, lëvizja është shëndet.

“Shoh disa nga kolegët e mi pensionistë që debatojnë për politikën, e shmang këtë”, tha ky 81-vjeçar, i cili tashmë po përgatitet për garën e radhës që do të zhvillohet në fund të këtij muaji.