Allahu i Madhëruar thotë: “Tashmë na vini veç e veç, ashtu siç ju krijuam herën e parë, duke lënë pas vetes ato që ju patëm dhuruar. Ne nuk po i shohim me ju ndërmjetësuesit tuaj, për të cilët pretendonit se ishin ortakët e Allahut. Midis jush janë shkëputur të gjitha lidhjet dhe ajo tek e cila shpresonit, ju ka lënë në baltë.” (El-En’am, 94).
Nga të gjitha krijesat e Allahut, njeriu është i vetmi i pajisur me arsye dhe me fuqinë për të dalluar se çfarë është e mirë dhe çfarë është mëkat. Vetëm njeriut Allahu i foli dhe ia dërgoi Udhëzimin, me qëllim që ta shpëtonte atë nga endja, vuajtja, fatkeqësia dhe shkatërrimi. Duke qenë se njeriu është i vetmi i nderuar me arsye dhe liri, ai do të jetë i vetmi që do të dalë para Zotit të tij dhe Zotit të gjithçkaje, për të dhënë llogari për jetën e kësaj bote.
Jeta e njeriut nuk ka fund. Nga shtëpia e kësaj bote ai shpërngulet në atë të berzahut, dhe me ribashkimin e shpirtit me trupin, në atë të botës tjetër, ku do të jetojë përgjithmonë. Por pyetja thelbësore është: Ku? Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kështu pra, Ne të kemi shpallur ty një Kuran në gjuhën arabe, për të paralajmëruar popullin e Mekës dhe ata rreth saj; për t’i paralajmëruar ata për Ditën, e cila do të vijë me siguri; kur të gjithë njerëzit do të tubohen, disa në Xhenet e disa në Xhehenem.” (Esh-Shura, 7).
Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit, vdekja do të sillet mbi urën e Siratit dhe do të thuhet: ‘O banorë të Xhenetit!’ Ata do të përgjigjen duke u frikësuar se mos do të nxirren nga vendbanimet që kanë zënë. Pastaj do të thuhet: ‘O banorë të Xhehenemit!’ Ata do të përgjigjen me gëzim, duke shpresuar se do të dalin nga vendbanimet ku janë vendosur. Pas kësaj, të dy palëve do t’u thuhet: ‘A e njihni këtë?’ Ata do të thonë: ‘Po, kjo është vdekja’. Pastaj do të urdhërohet që ajo të vritet. Më pas, të dy grupeve do t’u thuhet: ‘Përgjithmonë do të mbeteni në vendbanimet që keni zënë dhe kurrë më nuk do ta shijoni vdekjen në to’.” (Ibni Maxhe).
Ja pra, nuk ka asnjë dyshim se besimtarët do të jenë në Xhenet kurse jobesimtarët në Xhehenem. Njeriu i pajisur me liri dhe arsye, të cilit i është dërguar Udhëzimi dhe i Dërguari, e zgjedh vetë vendbanimin e tij të përjetshëm. Të gjithë do të dalim para Gjykatësit të Drejtë me atë që kemi punuar. Në suren En-Nexhm, Allahu i Lartësuar na paralajmëron: “Dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar; – se përpjekjet e tij do të shihen – dhe se do të shpërblehet me shpërblim të plotë.” (En-Nexhm, 39-41).
Po, besimtarët do të shkojnë në Xhenet. Të gjithë ata që dëshmuan monoteizmin e Allahut dhe pejgamberinë e Muhamedit (a.s.), ata që e shqiptuan shehadetin, do të hyjnë në Xhenet. Nuk ka dyshim se të gjithë ne do të donim në Xhenet menjëherë, por që të jemi në atë grup, është e domosdoshme që të jemi në rrugën e drejtë, që të sakrifikojmë në rrugën e mirësisë, sepse menjëherë do të shpëtojnë vetëm ata të cilëve u peshojnë më rëndë veprat e mira në peshore. Mesazhi i Zotit tonë është i qartë: “Sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit do të rëndojnë në peshore, – ai do të ketë një jetë të kënaqur (në Xhenet). – E sa i përket atij, veprat e (mira të ) të cilit nuk do të peshojnë në peshore, – Ai do ta ketë si strehim Humnerën (e Xhehenemit).” (El-Kâriah, 6-9).
I Dërguari i Allahut (a.s.) thotë se feja jonë na mëson se si të arrijmë në vendbanimin e këndshëm dhe të përjetshëm. Në këtë rrugë duhet vazhdimisht që të vetëshqyrtohemi, që të vigjëllojmë mbi marrëdhënien tonë me Zotin, me të Dërguarin, me Kuranin; që të jemi koshientë për përgjegjësinë tonë nëse udhëheqim diçka dhe të dimë se çështja e marrëdhënieve njerëzore është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe do të jetë vendimtare në peshoren e veprave tona.
“Feja është këshillë”, ka thënë Pejgamberi (a.s.). Ne i thamë: “Për kë, o i Dërguar i Allahut?” E ai tha: “Për ju, se si të silleni ndaj Allahut.” Me shehadet dëshmuam se Ai është Një, se me Atë askush nuk është i barabartë, se Ai krijon çdo gjë, e mirëmban dhe e shpërbën. Atij, vetëm Atij, besimtari i bindet, duke i shprehur falënderim të vazhdueshëm dhe të pamasë. Kur të dalim para Zotit – e do të dalim një nga një, ashtu siç u krijuam herën e parë – nuk do të jetë askush me ne. Nuk do të jenë ata që njerëzit i konsideruan si të barabartë me Allahun, të gjitha lidhjet do të jenë të këputura dhe nuk do të ketë asnjë ndërmjetës. Besimtari që dëshiron Xhenetin menjëherë, nxiton drejt asaj që Allahu e do. Nxiton të bëjë një vepër të mirë vetëm për kënaqësinë e Tij, sepse e di se njeriut i takon vetëm ajo që ka punuar vetë.
“Feja është këshillë”, ka thënë Pejgamberi (a.s.). Ne i thamë: “Për kë, o i Dërguar i Allahut?” E ai tha: “Për ju, se si të silleni ndaj të Dërguarit.” Ne e duam të Dërguarin, apo jo? E mbrojmë atë nga sulmet dhe agresionet, shqetësohemi kur ndaj tij thuhen të pavërteta dhe shpifje. Kur ai paraqitet përmes karikaturave, jemi të tërbuar, por feja na mëson se dashuria ndaj të Dërguarit (a.s.) tregohet duke e ndjekur atë; kjo dashuri tregohet duke jetuar atë që ai na ka thënë, urdhëruar, rekomanduar apo me heshtjen e tij e ka miratuar
“Feja është këshillë”, ka thënë Pejgamberi (a.s.). Ne i thamë: “Për kë, o i Dërguar i Allahut?” E ai tha: “Për ju, se si të silleni ndaj Kuranit.” Allahu i Madhëruar na thotë se vetëm Kurani udhëzon drejt rrugës më të drejtë. Ne e shpresojmë Xhenetin, dhe atë menjëherë, por fatkeqësisht sa herë që nuk na përshtatet urdhri kuranor, ne e anashkalojmë atë edhe për hir të një dobie të shkurtër e të parëndësishme të kësaj bote, veprojmë sipas dëshirës sonë. Përkundër mesazhit të qartë se bota tjetër është më e mirë dhe e përjetshme, pak prej nesh janë ata që nga mirësitë e pafundme të kësaj bote do të shkëpusin diçka për të investuar në kënaqësinë e përjetshme të botës tjetër. Të shkëpusësh nga gjumi për namazin e natës dhe sabahun, të shkëpusësh nga pasuria për sadakanë dhe zekatin që do ta pastrojë atë, të shkëpusësh nga koha e lirë për punë në dobi të përgjithshme… Ne nuk nxitojmë të bëjmë mirë, edhe pse e dimë se secili do të dalë para Zotit vetëm me atë që ka punuar.
“Feja është këshillë”, ka thënë Pejgamberi (a.s.). Ne i thamë: “Për kë, o i Dërguar i Allahut?” E ai tha: “Për ju, se si të silleni ndaj përfaqësuesve, ndaj udhëheqësve tuaj, por edhe për ata, se si të sillen ndaj obligimit që kanë marrë.” Feja na mëson që gjithmonë ta ndjekim atë që është e mirë, të bashkohemi rreth të mirës dhe ta tregojmë atë, kurse rregullit të keq, pandershmërisë dhe padrejtësisë t’i kundërvihemi. Atyre, udhëheqësve tanë, feja u thotë se Allahu u ka dhënë mundësinë që, nëse e duan Xhenetin menjëherë, të luftojnë për të me drejtësi, ndershmëri dhe sakrificë të sinqertë. Ekziston vetëm një hije në botën tjetër, ajo është hija e Allahut, dhe në të mund të hyjnë udhëheqësit tanë të cilët në këtë botë, në funksionet e tyre, stolisen me drejtësi dhe ndershmëri, sepse të gjithë do të dalim para Zotit vetëm me atë që kemi bërë vetë.
“Feja është këshillë”, ka thënë Pejgamberi (a.s.). Ne i thamë: “Për kë, o i Dërguar i Allahut?” E ai tha: “Për ju, se si të silleni me njëri-tjetrin dhe të ndërtoni unitet e bashkim”.
Gjithashtu, ai na ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, e nuk do të besoni derisa të duheni me njëri-tjetrin. A dëshironi t’ju udhëzoj në një vepër, të cilën po ta bëni, do të duheni? Përhapni selamin mes jush.” (Muslimi).
“O njerëz, përhapni selamin, mbani lidhjet farefisnore, ushqeni të uriturit, faluni natën kur të tjerët flejnë, do të hyni në Xhenet me selam.” (Ibni Maxhe).
O Allahu i Madhëruar, na bëj prej atyre që do t’i gëzohen Xhenetit menjëherë. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)








