Ballina Lajmet Kosovë Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria

Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka marrë disa vendime dhe miratuar projektligje.

Ekzekutivi ka miratuar propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore Telekomi i Kosovës, poashtu është miratuar propozimi për themelimin e trupave të reja institucionale që synojnë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Qeveria ka miratuar marrëveshjen me Shqiprinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2023”.

Të gjitha vendimet që mori sot Qeveria:

Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 2. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020.

Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2019, Pjesa e Dytë, Objektivi 1.

Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të EFTA-s. Ky projektligj ka për qëllim ratifikimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të EFTA-s (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra). Marrëveshja krijon një zonë të tregtisë së lirë në përputhje me nenin XXIV të GATT 1994 dhe nenin V të GATS, duke liberalizuar tregtinë e mallrave dhe shërbimeve dhe duke përmirësuar qasjen në treg për investime.

Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me Racionalizimin dhe Vendosjen e Vijave Llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. Një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës është që shteti i Kosovës të ketë një rregullim të mirë në fushën e reformës së administratës publike e ky rregullim do të arrihet përmes këtij Projektligji. Në mesin e vendeve të rajonit të cilat vlerësohen për progresin në Reformën e Administratës Publike (RAP) përmes raportit vjetor nga Komisioni Evropian, Kosova është vendi me numrin më të madh të agjencive, dhe agjencive që raportojnë në Kuvend.

Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Protokollit Shtesë 6 për Tregtinë në Shërbime për Marrëveshjen mbi Ndryshimin dhe Pranimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, i cili synon liberalizimin progresiv të tregtisë në shërbime ndërmjet palëve kontraktuese. Ky Protokoll është negociuar në kuadër të Marrëveshjes së CEFTA-s dhe përcakton rregulla për qasjen në treg, trajtimin kombëtar, transparencën dhe eliminimin e barrierave rregullatorë për sektorë të ndryshëm të shërbimeve në përputhje me parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (GATS).

Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Protokollit Shtesë 5 të Marrëveshjes për Aderimin dhe Amendamentimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore. Ky protokoll synon thjeshtësimin e inspektimeve, reduktimin e formaliteteve të import-eksportit, shkëmbimin elektronik të të dhënave, njohjen reciproke të testeve laboratorike dhe programit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar, zbatimin efektiv të kontrollit të riskut. Ky protokoll i shtrin efektet e tij edhe tek të gjitha agjencitë e tjera që veprojnë në kufi dhe kjo është vlera e shtuar thelbësore e këtij protokolli, e cila është mbështetur në filozofinë ë lehtësimit të tregtisë së miratuar nga të gjitha vendet anëtare të OBT në marrëveshjen e Lehtësimit të Tregtisë.

Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Protokollit Shtesë 7 për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve, i Marrëveshjes për Amendamentimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore. Ky Protokoll synon t’ia mundësojë Palëve të CEFTA-s krijimin e një qasje më të strukturuar ndaj konsultimeve, ndërmjetësimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve brenda CEFTA-s.

Miratuar Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Qëllimi i këtij projektligji është të përcaktojë parimet, rregullat, organizimin dhe mekanizmat institucionalë për mbështetjen, promovimin dhe nxitjen e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse, me qëllim të përshpejtimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe mjedisor në Republikën e Kosovës.

Miratuar Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 09/ 2019 për Integrimin e të Huajve. Çështja kryesore e trajtuar në këtë projekt-rregullore është përmirësimi dhe plotësimi i kornizës ekzistuese për integrimin e të huajve në Republikën e Kosovës, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Rregullores (QRK) Nr. 09/2019. Ndryshimet fokusohen në, forcimin e mekanizmave institucionalë për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Zgjatja e afatit për strehim elementar për personat me status refugjati, personi me status të mbrojtjes plotësuese apo personi me mbrojtje te përkohshme.

Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës” Sh. A., përmes të cilit kryesues zgjidhet, Shaban Neziri.

Ndarë mjete financiare në vlerë prej 20.721.00 (njëzet mijë e shtatëqind e njëzet e një) euro, për përmbushjen e kontributit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2026, në Qendrën Rajonale të Nismës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë, me seli në Shkup.

Miratuar vendimin për propozimin e Komisionit për Narkotikë për ndryshimin dhe plotësimin e tabelave nga paragrafi 2, i nenit 10 të Ligjit Nr. 02/L-128 për Barnat Narkotike, Substancat Psikotrope dhe Prekursorë, duke u bazuar në mekanizmat për ndërrim dhe plotësim, të përcaktuara me konventat ndërkombëtare për kontrollin e narkotikëve.

Ndarë mjete financiare në shumë prej 100,000 (njëqind mijë) euro për Organizimin dhe realizimin e Paketës së Partnerit të Vendit (Country Partner Package) në kuadër të kongresit dy ditor Future Industry Minds 2026, që do të mbahet më 11–12 maj 2026, në Grandhotel Schloss Bensberg, në Gjermani.

Miratuar kërkesën për aprovimin e qiradhënies për hapësirën kioskë, e cila gjendet në kuadër të Terminalit Doganor Hani i Elezit, Komuna Hani i Elezit, sipas kërkesës nga Dogana e Kosovës/Ministria e Financave, në kohëzgjatje prej 36 muajsh për zhvillimin e veprimtarisë ekonomike në fushën e gastronomisë.

Miratuar kërkesën për aprovimin e qiradhënies për hapësirën restorant me sipërfaqe 265 metra katrorë, e cila gjendet në kuadër të Terminalit Doganor Hani i Elezit, Komuna Hani i Elezit, sipas kërkesës nga Dogana e Kosovës/Ministria e Financave, në kohëzgjatje prej 36 muajsh për zhvillimin e veprimtarisë ekonomike në fushën e gastronomisë.

Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, KOSTT-it dhe KfË-së, për Zhvillimin e Sektorit të Energjisë (Faza VII) – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit.

Miratuar Koncept dokumentin për Fushën e Kontrollit të Tregtisë me Mallra Strategjike, qëllimi kryesor i të cilit është përmirësimi i kontrollit në fushën e tregtisë me mallra strategjike, si parakusht për funksionimin e lirë të tregut, mbrojtjen e operatorëve ekonomik dhe mundësimin e konkurrencës së drejtë, kontrollin dhe mbikëqyrjen e avancimit të sigurisë shtetërore, Interesat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës drejt përmbushjes së detyrimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare

Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Miratuar vendimin për themelimin e trupave institucionale për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Miratuar vendimin për shpalljen e Organizatës së Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.

Miratuar vendimin për propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.