Muhamedi a.s. ka thënë:
„Njerëzit janë ortakë në tri gjëra: ujin, kullotën dhe zjarrin.“
Ky hadith përmban një parim juridik më të gjerë për burimet që kanë karakter të përbashkët dhe që nuk duhet të kthehen lehtësisht në monopole private.
Uji përfaqëson atë që është i domosdoshëm për jetën; kullota, burimet e dukshme që shfrytëzohen e konsumohen; ndërsa zjarri paraqet diçka që mund t’u jepet të tjerëve pa u pakësuar vetë. Pikërisht këtu mumd të behet analogji me dijen dhe me disa forma të teknologjisë: kur ia jep dikujt dijen, ajo nuk zhduket nga mendja jote.
Kjo bëhet edhe më e fortë kur flasim për ilaçet. Një kompani mund të investojë shuma të mëdha për të zhvilluar një ilaç dhe, në njëfarë kuptimi, është e arsyeshme që të ketë një mekanizëm për ta mbrojtur investimin. Por çfarë ndodh kur një patentë bën që një ilaç jetik të jetë i paarritshëm për njerëzit e varfër?
Këtu përplasen dy parime:
e drejta e shpikësit për të përfituar nga puna dhe investimi i tij, kundrejt të drejtës së shoqërisë për të përfituar nga një dije që mund të shpëtojë jetë.
Në këtë rast duhet të behet nje dallim i qarte midis pronësisë dhe monopolizimit absolut.
Një shpikës duhet të ketë të drejtë të marrë shpërblim për punën, kohën, kapitalin dhe rrezikun që ka marrë përsipër. Përndryshe krijohet një problem tjetër: kush do të investojë vite dhe miliona në kërkime nëse çdo rezultat mund të merret menjëherë nga të tjerët?
Por kjo nuk do të thotë se kjo e drejtë duhet të jetë absolute dhe pa kufij, sidomos kur kemi të bëjmë me gjëra që prekin jetën, shëndetin apo nevojat themelore të njerëzve.
Këtu më duket se parimi islam i maslahasë (interesit publik) bëhet shumë i rëndësishëm.
Pra, pyetja nuk duhet të jetë vetëm: „Kush e shpiku?“ por edhe: „Çfarë pasoje ka monopolizimi i kësaj shpikjeje mbi njerëzit?“
Një patentë për një produkt luksoz nuk është moralisht e njëjtë me një patentë mbi një ilaç që mund të shpëtojë jetë.
Prandaj, qasja më e drejtë është pronësia intelektuale mund të ekzistojë, por nuk duhet të shndërrohet në të drejtë absolute mbi dijen dhe as në mjet për të cenuar interesin jetik të shoqërisë.
Sepse dija ka një veçori që e dallon nga toka, shtëpia apo një send fizik: kur e ndan me dikë, nuk e humb. Përkundrazi, ajo shtohet.
Dhe pikërisht këtu hadithi „Njerëzit janë ortakë në tri gjëra: ujin, kullotën dhe zjarrin“ mund të lexohet si një parim shumë më i gjerë: jo çdo gjë që mund të kontrollohet teknikisht duhet domosdoshmërisht të monopolizohet moralisht.
Në këtë pikë, kritika ndaj kapitalizmit bëhet serioze: problemi nuk është ekzistenca e pronës private, por momenti kur e drejta private fillon të vendoset mbi të drejtën e njeriut për jetë, dije dhe mirëqenie.
Halil Avdulli









