Ka sprova që ta kujtojnë menjëherë se sa i nevojshëm je për Allahun. Njëra prej tyre është dështimi.
Kur mbyllen dyert, lutesh. Kur shkaqet dobësohen, mbështetesh tek Allahu. Kur nuk sheh rrugëdalje, zemra thotë me sinqeritet: “O Zot!”
Por ekziston edhe një sprovë më e heshtur: suksesi.
Punon dhe arrin rezultate. Planifikon dhe plani funksionon. Fiton përvojë, përparon dhe dyert hapen njëra pas tjetrës. Në fillim thua me gjithë zemër: “Elhamdulilah!”
Por, kur suksesi përsëritet, ngadalë mund të lindë një ndjenjë tjetër:
“Tashmë e di si bëhen gjërat.”
Njeriu vazhdon ta përmendë Allahun, por zemra mund të fillojë të mbështetet gjithnjë e më shumë te përvoja, aftësitë, lidhjet dhe mundësitë e veta.
Pikërisht këtu qëndron sprova e suksesit.
Kurani na paraqet dy qëndrime të ndryshme ndaj mirësisë. Karuni tha:
“Kjo më është dhënë vetëm në sajë të dijes që kam.”
(El-Kasas, 78)
Ndërsa Sulejmani a.s. tha:
“Kjo është nga mirësia e Zotit tim, për të më sprovuar nëse do të jem mirënjohës apo mohues.”
(En-Neml, 40)
Të dy kishin mirësi dhe mundësi, por ndryshimi qëndronte në mënyrën se si zemra e shihte suksesin.
Besimi nuk sprovohet vetëm kur nuk kemi asgjë. Ndonjëherë sprova më e madhe vjen pikërisht kur kemi shumë: para, përvojë, pozitë, njohje, aftësi dhe alternativa.
Atëherë pyetja është:
A mbetet zemra po aq e lidhur me Allahun kur duart janë plot, sa ishte kur ato ishin bosh?
Mbështetja tek Allahu nuk do të thotë të mos planifikosh apo të mos i përdorësh shkaqet. Përkundrazi: puno, mëso, planifiko dhe zhvilloji aftësitë e tua. Por mos lejo që zemra të mbështetet tek ajo që ke në duar më shumë sesa tek Ai që ta dha.
Sepse shkaku mbetet shkak, ndërsa Zoti i shkaqeve është Allahu.
Një nga shenjat më të heshtura të rrezikut është kur suksesi të bën të lutesh më pak ose t’i gjykosh më shumë ata që nuk kanë arritur atë që ke arritur ti.
Shpesh harrojmë sa dyer na janë hapur pa qenë në dorën tonë t’i hapnim, sa gabime na janë mbuluar dhe nga sa rreziqe jemi ruajtur pa qenë as të vetëdijshëm për to.
Prandaj, kur suksesi vjen, mos e moho përpjekjen tënde, por mos e harro Burimin e suksesit.
Thuaj:
Unë punova.
Unë planifikova.
I mora shkaqet.
Por ndihma dhe suksesi ishin prej Allahut.
Suksesi më i bukur nuk është ai që të bën të mendosh se nuk ke më nevojë për askënd, por ai që, sa më shumë të jepet, aq më shumë ta shton vetëdijen se ke nevojë për Allahun.
Mos ki frikë se Allahu nuk do t’i hapë dyert e suksesit. Ki frikë vetëm nga dita kur do t’i shohësh dyert e hapura dhe do ta harrosh Atë që t’i hapi.
Hoxhë Rufat Sherifi








