Dhjetë vjet më parë, në Prishtinë, gazetari dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu botoi një roman me një titull provokues, por edhe mjaft të qëlluar për një kohë kur, jo rrallë, titulli e shet librin më shumë se përmbajtja e tij: “Misioni rus”.
Në atë kohë, autori pati edhe disa paraqitje televizive ku fliste për përmbajtjen e romanit. Dhe ndonëse në të trajtohen personazhe dhe ngjarje të ndryshme, vëmendje të veçantë i kushtonte një personazhi që, sipas rrëfimit të tij, kishte qenë “një imam rus që kishte shërbyer në një nga xhamitë e Prizrenit”. Dhe shih ti – hiç më pak se njëzet vjet! Herë e lidhte atë me Xhaminë e Sinan Pashës, e herë me atë që në të folurën publike quhet “Xhamia e Madhe” e Prizrenit, ndonëse bëhet fjalë për dy xhami të ndryshme.
Kjo e bënte romanin më interesant për lexuesin, por njëkohësisht e nxirrte edhe vetë rrëfimin përtej kufijve të letërsisë. Në paraqitjet publike të autorit, ky rrëfim filloi të përcillej jo vetëm si pjesë e një vepre letrare, por gjithnjë e më shumë si një ngjarje që kishte ndodhur realisht, duke u nxjerrë më pas nga konteksti letrar dhe duke u përdorur për nevoja të caktuara politike e në debatet publike të ditës.
Që nga ajo kohë e deri më sot, duke e ditur profilin tim dhe fushën me të cilën merrem, vazhdimisht më është bërë pyetja nëse kjo histori ishte e vërtetë apo jo. Ma kanë bërë studentë, studiues, miq, të njohur e njerëz të ndryshëm. Përgjigjja ime ka qenë zakonisht e shkurtër: Nuk kam parë dokument që ta dëshmojë këtë. Dhe kaq. Nuk kisha ndonjë interes të veçantë të merresha me këtë çështje. Në fund të fundit, një roman është roman dhe një gojëdhënë është gojëdhënë. Nuk është detyrë e historianit të merret me çdo rrëfim që qarkullon.
Mirëpo, një intervistë e kohëve të fundit më bëri ta shoh ndryshe këtë çështje. Një person, pa ndonjë përgatitje të veçantë në fushën e historisë, të dokumentacionit a të letërisë, fliste me një siguri të pazakontë në një medium privat për ekzistencën edhe ai të një “imami rus” në Kosovë. Ajo që më tërhoqi vëmendjen nuk ishte vetëm mënyra se si përcillej rrëfimi, por edhe fakti se vendi ku pretendohej se kishte shërbyer ky imam ndryshonte brenda vetë rrëfimit: fillimisht përmendej Peja, pastaj hyrja e Pejës. Dhe kjo nuk është një hollësi pa rëndësi. Përkundrazi, tregon shumëçka për natyrën e këtij rrëfimi. Kur një histori e tillë mund të zhvendoset nga një xhami në tjetrën, nga një qytet në tjetrin, duke ruajtur vetëm bërthamën e saj – një “imam rus” që paskësh shërbyer diku në Kosovë – atëherë kemi të bëjmë me një gojëdhënë tipike që qarkullon dhe përshtatet dhe jo me një fakt historik të fiksuar në kohë dhe në hapësirë.
Në anën tjetër, rrethanat në të cilat kjo histori po rikthehej në vëmendjen publike e bënë edhe më të nevojshme që ajo të shqyrtohej me kujdes. Personi që e përcillte këtë version është identifikuar publikisht me të ashtuquajturën “Lëvizja e Deçanit”. Kjo, natyrisht, nuk përbën në vetvete provë as për vërtetësinë, as për pavërtetësinë e rrëfimit. Por konteksti në të cilin një gojëdhënë e vjetër rikthehet dhe përdoret nuk është krejt i parëndësishëm, sidomos kur një rrëfim i vjetër fillon të marrë funksione dhe kuptime të reja.
Nga rrëfimi i një të moshuari te “Misioni rus”
Por, para se të arrijmë te “Misioni rus”, duhet të kthehemi pak më prapa. Gjurmët e këtij rrëfimi shkojnë deri në fillimin e viteve ’70, kur I. Kadriu, atëherë ende gazetar i ri, në përpjekje për të siguruar vendin e punës, për t’iu hyrë në hatër eprorëve të tij dhe për t’iu përshtatur sistemit të kohës, kishte zhvilluar një bisedë me një të moshuar nga rrethina e Prizrenit. Sipas rrëfimit të dhënë më vonë nga vetë Kadriu, ky person ishte 94-vjeçar (sic!) dhe i kishte treguar për një “imam rus” që, sipas tij, kishte shërbyer në një xhami të Prizrenit. Në rrëfimin e mëvonshëm, kjo histori lidhet me hyrjen e forcave serbe në Prizren në vitin 1912. Sipas këtij tregimi të 94-vjeçarit, kur ushtria serbe hyri në qytet, imami doli para xhematit dhe u tha, në thelb, se “deri këtu e pata”, duke lënë të kuptohej se misioni i tij kishte përfunduar. Vetëm atëherë, sipas rrëfimit, njerëzit do ta kishin kuptuar se ai ishte rus dhe se kishte ardhur në Prizren me një mision të caktuar.
Por, më vonë, rrëfimi u bë edhe më konkret. Imami nuk mbeti më vetëm “një rus”. Atij iu dha edhe një emër: Mulla Adnani (alias Kazimir Olenko). Në versionin e bërë publik, bëhet fjalë për një person që kishte ushtruar për rreth dy dekada detyrën e imamit, që nga viti 1892 e deri në vitin 1912. Pra, kemi një person që, sipas këtij rrëfimi, do të kishte ardhur në Prizren rreth vitit 1892, do të ishte paraqitur si imam mysliman, do të kishte ushtruar këtë detyrë për rreth dy dekada dhe, ndërkohë, do të kishte mbajtur të fshehtë identitetin dhe misionin e tij. Dhe, këtu rrëfimi fillon të marrë përmasa të jashtëzakonshme.
Një gjë është të thuhet se dikur një i huaj ka kaluar nëpër Prizren apo se një plak ka dëgjuar për një rus që kishte qëndruar në qytet. Kurse krejt tjetër është të thuhet se një person i huaj kishte hyrë në një nga institucionet fetare më të rëndësishme të qytetit, në xhaminë kryesore, kishte shërbyer aty për rreth njëzet vjet, kishte pasur një identitet të fshehtë dhe kishte pritur deri në vitin 1912 për ta zbuluar atë. Sa më shumë hollësi i shtohen një rrëfimi, aq më shumë ai fillon të duket si histori. Por hollësitë nuk janë prova.
Dhe pikërisht këtu duhet bërë një dallim që, në rastin e “imamit rus”, duket se është harruar një fakt vendimtar: një gojëdhënë mund të jetë interesante, një roman mund të jetë i suksesshëm, një titull mund ta shesë një roman, por asnjëri prej tyre nuk e zëvendëson dokumentin kur pretendojmë të vërtetojmë një fakt historik.
Në të vërtetë, vetë mënyra se si ka ardhur deri te ne kjo histori është shumë domethënëse. Ajo nuk ka dalë nga një dokument osman, nga një berat, nga një regjistër i personelit fetar apo nga ndonjë akt tjetër zyrtar i kohës. Ajo ka ardhur fillimisht nga një rrëfim gojor, i marrë në fillim të viteve ’70, shumë dekada pasi supozohet të ketë ndodhur ngjarja. Më pas është shkruar në shtypin ditor, është rikujtuar pas shumë vitesh dhe, më në fund, është shndërruar në subjekt romani. Pra, me çdo hap të këtij udhëtimi, rrëfimi është bërë më i plotë, më dramatik dhe më i përcaktuar. Dhe pikërisht kjo është mënyra se si mund të lindin dhe të jetojnë gojëdhënat, të cilat me kalimin e kohës mund të marrin edhe formën e legjendës.
Nuk po themi se çdo gojëdhënë është e pavërtetë. Përkundrazi, shumë gojëdhëna ruajnë brenda tyre një kujtim, një ngjarje, një person apo një rrethanë reale. Por kujtesa popullore nuk funksionon si arkivi. Ajo zgjedh, harron, shton, bashkon dhe riformulon. Një brez ia përcjell tjetrit atë që ka mbajtur mend, ndërsa tjetri mund t’i shtojë diçka nga koha e vet. Pas disa dekadash, ajo që mbetet nuk është domosdoshmërisht ngjarja fillestare, por versioni që ka mbijetuar në kujtesë. Dhe, mbi të gjitha, një gojëdhënë e tillë, me kalimin e kohës, mund të fillojë të përdoret për nevoja dhe interesa të caktuara, duke marrë kuptime dhe funksione të reja, përtej atij rrëfimi fillestar. Prandaj, problemi nuk është vetëm se çfarë tregohet. Duhet të pyesim edhe nga kush u tregua fillimisht, kur u tregua, si u ndryshua dhe mbi çfarë burimi u mbështetën versionet e mëvonshme. Dhe, mbi të gjitha, duhet të pyesim pse ky rrëfim po rikthehet dhe po përdoret sot.
Këtu qëndron edhe pyetja themelore: Ku përfundon kujtesa dhe ku fillon historia e vërtetuar?
Rrëfimi përballë historisë së dokumentuar të Prizrenit
Në rastin tonë, kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme, sepse kemi të bëjmë me një qytet si Prizreni, ku jeta fetare dhe institucionale e periudhës osmane është e pasur me burime. Sipas versionit të bërë publik, “imami rus” nuk ishte thjesht një i huaj që kishte kaluar nëpër qytet, por një person që kishte ardhur me një “mision të fshehtë”, kishte shërbyer si imam për rreth dy dekada dhe kishte mbajtur të fshehtë identitetin e tij deri në vitin 1912.
Dhe kjo, sipas rrëfimit, nuk kishte ndodhur në një periudhë të largët e të panjohur historike, por në një kohë kur dëshmitarët e drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve kishin qenë gjallë edhe për disa dekada më vonë, ndërsa pasardhësit e tyre jetonin ende dhe mund të ruanin kujtime e dëshmi për atë periudhë.
Pikërisht për këtë arsye, kemi të bëjmë me një rrëfim që kërkon një shqyrtim serioz dokumentar. Fakti që një histori është e jashtëzakonshme nuk e bën atë të pavërtetë, por e rrit nevojën për prova. Problemi nuk qëndron te fakti që një shkrimtar e ka marrë një gojëdhënë dhe e ka shndërruar në roman; kjo është krejtësisht e ligjshme në letërsi. Problemi lind atëherë kur kufiri ndërmjet letërsisë dhe historisë fillon të fshihet. Një personazh mund të jetë pjesë e një vepre letrare, dhe kjo është e njohur dhe shpesh ka ndodhur, por kur i njëjti personazh nxirret nga romani dhe paraqitet në intervista, emisione apo diskutime publike si dëshmi për një ngjarje reale, atëherë kërkohet një standard tjetër: dëshmia historike.
Nëse burimi është gojëdhëna, atëherë duhet thënë se kemi të bëjmë me një gojëdhënë. Nëse ekziston dokumenti, atëherë duhet treguar dokumenti. Nëse ekziston një burim tjetër i kohës, duhet treguar burimi. Por nuk mund të bëhet kalimi nga “ma ka treguar një i moshuar” te “kjo ka ndodhur”, pa kaluar nëpër provën e dokumentit dhe të burimeve të tjera të verifikueshme. Sepse historia nuk është ajo që na duket bindëse. Historia është ajo që mund të dëshmohet.
Dhe këtu fillon pjesa që, për ne, është më interesante e gjithë kësaj historie.
Në vend që të kërkonim një dokument që ta rrëzonte rrëfimin, duhej të bënim të kundërtën: të shihnim se çfarë thonë vetë dokumentet për xhamitë e Prizrenit, për imamët e tyre dhe për periudhën në të cilën, sipas këtij rrëfimi, do të kishte shërbyer “imami rus”. Nuk u nisëm nga personazhi i romanit. U nisëm nga institucioni. Dhe ky është një dallim i rëndësishëm.
Nëse një person ka shërbyer për rreth njëzet vjet si imam në një xhami të rëndësishme, atëherë rruga më e sigurt për ta gjetur nuk është të kërkosh legjendën, por të ndjekësh vetë historinë e institucionit. Kush kanë qenë imamët? Kush kanë qenë hatibët? Kush kanë qenë myezinët? Kush i ka mbajtur këto funksione para dhe pas periudhës së pretenduar? Si kanë funksionuar këto funksione? Cili ka qenë roli i xhematit apo komunitetit të xhamisë përkatëse në emërimin e imamit dhe në funksionimin e tij? Pikërisht këtu dokumentet fillojnë të japin një pamje krejt tjetër nga ajo që kemi dëgjuar nëpër rrëfime.
Defterët osmanë, dokumentet administrative dhe burimet që lidhen me institucionet fetare të Prizrenit nuk na paraqesin një hapësirë të zbrazët, ku një personazh i tillë mund të vendoset pa lënë gjurmë. Përkundrazi, në to dalin emra konkretë, familje të njohura, funksione të përcaktuara dhe një vazhdimësi e personelit fetar që mund të ndiqet në kohë.
Një dëshmi e rëndësishme për këtë janë defterët e shekullit XIX, të cilët i kemi marrë në shqyrtim që nga ai i vitit 1833. Në to, krahas të dhënave për popullsinë, janë shënuar edhe funksionarë të institucioneve fetare. Për Xhaminë e Sinan Pashës gjejmë, ndër të tjerë, imamë, myezinë, hatibë dhe nëpunës të tjerë, të shënuar me emrat e tyre, emrat e familjeve, paraardhësit dhe pasardhësit, moshën, si dhe lidhjet familjare e farefisnore. Këta emra janë të rëndësishëm jo sepse po bëjmë historinë e tyre, por sepse tregojnë natyrën e jetës institucionale të Prizrenit. Imamët dhe funksionarët fetarë nuk ishin figura anonime që shfaqeshin e zhdukeshin pa lënë gjurmë. Ata ishin pjesë e një strukture të caktuar fetare e shoqërore, me emra, detyra dhe lidhje familjare që mund të ndiqen në dokumente.
Dhe kur zbresim në periudhën që na intereson më drejtpërdrejt, në fund të shek. XIX dhe fillimin e shek. XX, pra atëherë kur pretendohet se ka shërbyer “imami rus”, pamja bëhet edhe më e qartë.
Në vitin 1890, pas vdekjes së Abdylaziz efendiut të birit të Mahmudit, në detyrën e imamit të Xhamisë së Sinan Pashës u emërua (Abdyl) Halim ef. Ramadani, një nga figurat më të njohura të jetës fetare dhe publike të Prizrenit. Halim efendiu ishte myderriz në Medresetë “Sinan Pasha” dhe “Mehmet Pasha”, hatib i Xhamisë së Sinan Pashës dhe një kohë myfti i Prizrenit. Veprimtaria e tij lidhet edhe me një prej ngjarjeve më të rëndësishme politike e kombëtare të kohës. Ka qenë aktivist i dalluar dhe anëtar i Këshillit Qendror të Lidhjes së Prizrenit. Për veprimtarinë e tij në dobi të Lidhjes, nga qeveria osmane qe dënuar me një vit burg të rëndë dhe qe internuar në Nablus të Shamit. Është nipi i Shuajb agë Spahiut të mirënjohur. (Abdyl)Halim efendi Gjergjizi ka dhënë një kontribut të madh dhe ka luajtur një rol me rëndësi edhe në formimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1896-1900). Për më tepër, ai ishte kryetar i Komitetit Shqiptar për sanxhakun e Prizrenit. Vdiq në Prizren më 1906, duke qenë në detyrë. Pas tij, detyrën në xhami dhe në medrese e vazhdoi i biri, Tefik efendiu. Pra, për periudhën në të cilën rrëfimi vendos praninë e një “imami rus” në Xhaminë e Sinan Pashës, kemi emra, funksione, pasardhës dhe një vazhdimësi institucionale që mund të ndiqet në burime.
Më vonë, në periudhën pas largimit të Perandorisë Osmane, dokumentet arkivore flasin për Vehbi Mustafën si imam, Tefik ef. Halim efendiun e sipërpërmendur si hatib dhe Rifat Fejzullahun si myezin.
Dhe këtu duhet të ndalemi. Në burimet që kemi shqyrtuar deri tani, nuk kemi gjetur asnjë gjurmë dokumentare për personin e quajtur Adnan Kazimir Olenko, jo vetëm në Xhaminë e Sinan Pashës, por në asnjë xhami të Prizrenit.
Mënyra e emërimit dhe funksionimi i institucionit fetar
Dhe këtu hyn një çështje tjetër me rëndësi: mënyra e emërimit dhe funksionimit të imamëve në sistemin osman. Një imam në një xhami të rëndësishme nuk mund të shfaqej thjesht nga askund dhe të ushtronte detyrën për rreth njëzet vjet. Funksioni i tij ishte pjesë e një strukture institucionale, në të cilën duhej të ekzistonin autoritete, procedura dhe, mbi të gjitha, gjurmë dokumentare. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme kur pretendohet se bëhej fjalë për një të huaj, i ardhur me një “mision të fshehtë”. Prandaj pyetja është e thjeshtë: si hyri në atë institucion, kush e njohu dhe kush e autorizoi të shërbente aty për dy dekada? Nëse një pretendim i tillë nuk lë gjurmë në historinë institucionale të xhamisë, atëherë barra e provës bie mbi atë që e bën pretendimin. Nuk mund të kërkohet nga dokumenti të provojë një gojëdhënë; por është gojëdhëna ajo që duhet të përballet me dokumentin
Nga “imami rus” i Prizrenit te “popi rus” i Pejës
Por pikërisht kur mendon se kjo histori ka mbetur vetëm në Prizren, shfaqet një variant tjetër që e bën çështjen edhe më interesante. Në një intervistë të kohëve të fundit në një TV privat, përcillet një tjetër rrëfim për një person rus që, sipas tij, kishte shërbyer si imam në Kosovë. Sipas këtij tregimi, në vitet ’80 të shekullit XX, një grup punëtorësh nga një kombinat i Obiliqit kishin udhëtuar në Moskë. Ndërsa ishin ulur në një lokal, një person i pranishëm i kishte qerasur dhe më pas u ishte afruar duke u folur në gjuhën shqipe. Sipas rrëfimit, ky person u kishte treguar se kishte qenë imam për rreth njëzet vjet në një xhami në Pejë apo në hyrje të Pejës. Në kohën kur pretendohet se kishte ndodhur ky takim, ai thuhet se kishte qenë mbi nëntëdhjetë vjeç.
Vetë formulimi i këtij versioni është domethënës. Në materialin e TV Arbëria, personi paraqitet si “një pop nga Moska”, ndërsa në të njëjtin rrëfim thuhet se kishte shërbyer për rreth njëzet vjet si imam. Kemi, pra, një ndërthurje jo të zakonshme ndërmjet identitetit rus, figurës së “popit” dhe funksionit të imamit.
Nëse personi, pra “popi rus”, kishte qenë mbi 90 vjeç në vitet ’80, kur u takua me punëtorët shqiptarë të kombinatit, atëherë, duke marrë si pikë orientimi vitin 1980, ai do të kishte lindur rreth vitit 1890. Nëse supozojmë se kishte qenë në moshë të aftë për të ushtruar detyrën e imamit rreth vitit 1920 dhe se kishte shërbyer për rreth njëzet vjet, periudha e pretenduar e shërbimit do të shtrihej afërsisht deri në vitin 1940.
Pra, ky version nuk na çon më në fundin e Perandorisë Osmane, siç ndodh me rrëfimin e Prizrenit, por në një periudhë shumë më të vonshme dhe në një kontekst krejt tjetër historik. Dhe pikërisht këtu lind një tjetër pyetje: si është e mundur që një rrëfim për një person që, sipas kësaj kronologjie, do të kishte shërbyer deri rreth vitit 1940, të mos ketë lënë gjurmë në kujtesën lokale të Pejës, të mos jetë njohur dhe të mos jetë përcjellë si rrëfim, sidomos kur bëhet fjalë për një periudhë relativisht të afërt?
Megjithatë, këtu shfaqet një përputhje që nuk mund të anashkalohet. Në rrëfimin e Prizrenit kemi një person rus, të paraqitur si imam, që thuhet se kishte shërbyer për rreth njëzet vjet dhe që e zbulon identitetin në rrethana të jashtëzakonshme. Në variantin e Pejës kemi përsëri një person rus, të paraqitur si “nga Moska”, që thuhet se kishte shërbyer si imam për rreth njëzet vjet dhe identiteti i të cilit zbulohet shumë më vonë, në Moskë. Ndryshojnë qyteti, koha dhe rrethanat e zbulimit, por mbetet e njëjta bërthamë narrative: një person rus, një imam, rreth njëzet vjet shërbim dhe një identitet i zbuluar vetëm shumë më vonë.
Pra, kemi të bëjmë me dy variante të të njëjtit motiv folklorik – një shembull domethënës i mënyrës se si gojëdhënat lëvizin, përshtaten, riformulohen dhe përdoren në kohë e rrethana të ndryshme. Por çështja bëhet edhe më domethënëse kur kemi parasysh se një rrëfim i ngjashëm dëgjohet edhe për “imamin rus” që thuhet se kishte shërbyer në Xhaminë e Madhe të Prishtinës. Nëse i njëjti motiv shfaqet në Prizren, në Pejë dhe në Prishtinë, me të njëjtën bërthamë – një person rus, i paraqitur si imam, rreth njëzet vjet shërbim dhe një identitet i zbuluar më vonë – atëherë vështirë të mos ngrihet pyetja nëse kemi vërtet të bëjmë me kujtimin e tri ngjarjeve të veçanta, apo me një motiv gojëdhënor që është zhvendosur nga një vend në tjetrin dhe është përshtatur sipas hapësirës ku është rrëfyer. Sa më shumë që ky personazh shfaqet në qytete të ndryshme, me rrethana të ndryshme, por me të njëjtën bërthamë narrative, aq më shumë rrëfimi largohet nga karakteri i një dëshmie për një ngjarje konkrete dhe afrohet me mekanizmin e një gojëdhëne që riprodhohet, përshtatet dhe merr forma të reja.
Ta sqarojmë edhe një herë: fakti që një rrëfim qarkullon në kujtesën gojore nuk i jep atij statusin e një fakti historik. Përkundrazi, sa më shumë variante të shfaqen për të njëjtin personazh, në qytete, kohë dhe rrethana të ndryshme, aq më e nevojshme bëhet të kërkohet prova dhe të vihet në pikëpyetje vetë baza faktike e rrëfimit. Prandaj, në rastin konkret, nuk duhet të shqyrtojmë vetëm se çfarë tregon kjo gojëdhënë, por edhe kush e përcjell, pse rikthehet dhe për çfarë qëllimi përdoret.
Dhe pas gjithë kësaj…
Dhe pas gjithë kësaj, shtrohet një pyetje krejt e ligjshme, por edhe një sfidë e hapur: Nëse nuk ekziston dhe nëse nuk gjendet asnjë dokument që ta dëshmojë këtë histori, atëherë kush po mbetet, në të vërtetë, “misionari rus”? Sidomos kur kemi parasysh faktin se ky rrëfim tashmë nuk ka mbetur vetëm brenda letërsisë, por po rikthehet në hapësirën publike dhe po shfrytëzohet për arsye dashakeqe, me pasoja që shkojnë përtej një historie të thjeshtë dhe prekin çështje shumë të ndjeshme të shoqërisë shqiptare. Pra, pyetja mbetet e hapur, por përgjigjja është e kushtëzuar nga një parim i vetëm: le të flasin dokumentet. Derisa ato të dëshmojnë të kundërtën, gojëdhëna mbetet gojëdhënë, jo fakt historik.
Dhe në këtë pikë, qëndrimi im është i qartë: nëse sillen dokumente autentike, të verifikueshme dhe të kohës, që dëshmojnë të kundërtën e asaj që kam argumentuar, unë do të jem i pari që do të kërkoj falje publikisht dhe do ta korrigjoj qëndrimin tim. Por, nëse dokumenti nuk ekziston, atëherë duhet pranuar se kemi të bëjmë me një gojëdhënë të paprovuar, e cila nuk mund të paraqitet si fakt historik.
Deri atëherë, pyetja mbetet: kush është, në të vërtetë, “misionari rus”?
Dr. Sadik Mehmeti








