Të rinjtë tanë mund ta dëgjojnë klithmën e çuditshme të disa njerëzve që thonë se “duhet të kthehemi në fenë e të parëve.” Po të mos ishte me sherr, kërkesa do të ishte e drejtë. Pse? Sepse thirrja për në fenë e të parëve është thirrje për në Islam. Islami është feja e të parëve tanë, që nga Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai e deri te Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të gjithë pejgamberët.) Pra, Judaizmi dhe Krishterimi janë pjesë e të njëjtës Shpallje Hyjnore, por ato Shpallje kanë pësuar devijime nga ndërhyrjet e njerëzve. Pra, feja e të parëve tanë është Islami. Që nga Fletoret që iu dhanë Ibrahimit, Tevrati që iu dha Musait, Ungjilli që iu dha Isait e deri te Kurani, që iu dha Muhamedit, janë Shpallje nga i njëjti Zot. Rrjedhimisht, Kurani përfshinë gjithë mësimet, është Shpallja përmbyllëse dhe si i tillë, është i përsosur dhe pa mundësi të ndërhyrjes së njerëzve. Ndër të tjera, Zoti ka kërkuar që të mos ketë përçarje, po pranim të faktit se është e njëjta fe, feja islame, pra e njëjta Shpallje që nga fillimi. Ja si na njofton Zoti Mëshirëplotë:
Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!” Por për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim.(Esh-Shura:13)
Mesazhi i fundit është se secili njeri mund të shpresojë të jetë i udhëzuar, nëse kthehet të Zoti me pendim. Pra, Islami, si feja e vjetër dhe e re, feja e vetme e përsosur, mbetet portë e hapur e shpresës për njeriun.
Prof. Milazim Krasniqi








