A është e mjaftueshme siguria e Windows 11-ës apo duhet të përdorni një antivirus?

Ekziston një mendësi se nëse keni një kompjuter Windows, me patjetër ju nevojitet një suitë sigurie për ta mbrojtur. Por nëse ju them se një softuer i tillë nuk është i domosdoshëm?

Kjo ka qenë qasja prej dekadash, por gjërat kanë filluar të ndryshojnë dhe mund të mos qëndrojë më si opinion. Me mbrojtjet e shtuara në versionin më të fundit të Windows, mbase nuk keni më nevojë për një zgjidhje sigurie më vete.

A janë të mjaftueshme funksionalitet e sigurisë së Windows 11-ës për përdoruesit e përditshëm? Përgjigja është “Po… por.” Ja pse.

Një përmbledhje e sigurisë së Windows

Windows ka pasur gjithnjë disa masa sigurie për t’ju mbrojtur nga hakerët, kriminelët kibernetikë dhe maluerët. Këto masa sigurie janë përmirësuar në mënyrë dramatike përgjatë dekadës së fundit dhe nuk kanë qenë asnjëherë më të avancuara sesa janë sot në Windows 11.

Edhe pse kërkesat shtesë të harduerit nga Windows 11 për kompjuterët mund të jenë irrituese për përdoruesit, bërja detyrim e Secure Boot dhe masave të tjera mbrojtëse kanë bërë që Windows 11-ta të jetë versioni më i sigurtë i Windows gjer më sot.

Në të vërtetë Windows 11-ta ka disa masa mbrojtëse që vinë të integruara dhe së bashku janë vendosur në një ndërfaqe vizuale quajtur Windows Security. Së bashku këto funksionalitete e bëjnë Windows 11-ën mjaftueshëm të sigurte për një përdorues mesatar i cili nuk ka nevojë për një softuer shtesë sigurie siç është antivirusi.

Në vijim do të elaborojmë aspektet kyçe të Windows Security dhe sesi ju mbron juve nga kërcënime e sigurisë.

Microsoft Defender Antivirus

Është versioni më i fundit i softuerit klasik Windows Defender i cili debutoi për herë të parë si një mjet kundër spyuerëve në Windows XP.

Me Windows 11-ën, Microsoft Defender Antivirus është plotësisht i integruar në sistemin operativ dhe qëndron në gatishmëri vazhdimisht. Ju ofron mbrojtje në kohë reale për të identifikuar maluerët përpara se t’ju dëmtojnë por gjithashtu përmes tij mund të bëhen skanime manuale të maluerit.

Në testimet e antiviruseve nga kompani të pavarura është parë se Microsoft Defender Antivirus është po aq efektiv sa zgjidhje pa pagesë të antiviruseve në identifikimin e maluerëve.

Microsoft Defender Antivirus gjithashtu ofron mbrojtje bazike ndaj ransomware duke mbrojtur të dhënat dhe direktoritë tuaja dhe parandaluar alternimet keqdashëse pa aprovimin e administratorit.

Së fundit Microsoft Defender Antivirus përdor cloud për identifikim më të shpejtë të maluerit dhe përditësohet në mënyrë të rregullt me mostrat më të fundit të maluerëve.

Microsoft Defender SmartScreen

Nëse jeni përpjekur të lançoni një lojë indie ose një aplikacion që një mik i juaji ka zhvilluar dhe Windows është përpjekur t’ju ndalojë në instalimin e tij, përgjegjës për këtë veprim është Microsoft Defender SmartScreen.

Është një softuer i dizajnuar për të luftuar phishing dhe maluerët duke ju mbrojtur nga uebsajtet dhe aplikacionet e dëmshme.

Analizon uebsajtet përpara se ti vizitoni dhe aplikacionet përpara se ti ekzekutoni nëse duken të dyshimta ose të dëmshme. Nëse kupton që diçka nuk shkon, do të përpiqet t’ju pengojnë ta instaloni aplikacionin dhe hapni uebsajtin në fjalë.

Normalisht ju mund të zgjidhni të injoroni paralajmërimet duke klikuar ca butona, por vetë paralajmërimi duhet të jetë i mjaftueshëm që t’ju nxisë të mendoheni dy herë përpara se të bëni një veprim.

Windows Firewall

Filtron trafikun në rrjet për t’ju mbrojtur nga aplikacione të dëmshme apo hakera të cilët përpiqen të qasen pajisjet tuaja në rrjet lokal apo internet.

Mund të filtrojë trafikun bazuar në disa kritere, përfshirë adresën IP të pajisjes që po përpiqet të qaset në rrjetin tuaj, numrat e portave që përdor dhe çfarë aplikacioni ose shërbimi po përpiqet të ndërveprojë.

Nëse Windows Firewall identifikon një tentativë për lidhje të panjohur, automatikisht do ta bllokojë lidhje dhe ta parandalojë nga qasja në pajisjen apo rrjetin tuaj.

Ju mund të përshtatni Windows Firewall, dhe të vendosni nëse operon vetëm në rrjetet publike ose private dhe çfarë trafiku filtron.

Microsoft Defender Guards

Windows 11-ta ka disa mbrojtje si pjesë e Microsoft Defender për të shtuar mbrojtjet përballë maluerit.

Microsoft Defender Application Guard funksionon me disa aplikacione Microsoft, përfshirë Edge dhe Microsoft Office. Automatikisht identifikon uebsajtet potencialisht të dëmshme ose të dhënat, dhe në vend që ti hapë ato brenda Windows, i hap në një ambient të izoluar që parandalon infektimin e sistemit.

Microsoft Defender Exploit Guard ndihmon në eliminimin e vektorëve të ndryshëm të sulmeve me maluerë. Për shembull mund të parandalojë ekzekutimin e të çdo të dhëna brenda një klienti e-mail ose webmail, ose të parandalojë aplikacionet të ekzekutohen pas klikimit të lidhjeve në dokumentet Office.

Së fundi Microsoft Defender Credential Guard, i cili përdor teknologji virtualizimi për izolimin e informacioneve sekrete si hash-e fjalëkalimesh, siguron që vetëm përdoruesit me privilegje të caktuara mund ti aksesojnë.

Të gjitha këto masa shtesë sigurie janë të aktivizuar automatikisht.

Kur keni nevojë më shumë sesa Windows Security?

Kthehemi tek pyetja fillestare: A janë të mjaftueshme funksionalitetet e sigurisë së Windows 11-ës për përdoruesit e përditshëm?

Për pjesën më të madhe të tyre, po. Funksionalitetet e sigurisë së Windows 11-ës janë të mjaftueshme dhe efektive në atë çfarë bëjnë. Sa i përket identifikimit të maluerit, këto mjete funksionojnë siç duhet dhe me shumë gjasa ju nuk keni nevojë për zgjidhje shtesë sigurie.

Por Windows Security ende vendos sigurinë në dorën tuaj. Disa funksionalitete duhet të konfigurohen siç duhet dhe ajo çfarë suita ofron është mbrojtje bazë sigurie. Ju duhet të jeni të kujdesshëm se çfarë uebsajtesh vizitoni, çfarë të dhënash shkarkoni dhe çfarë lidhjesh klikoni.

Nëse jeni të sigurte në atë çfarë bëni, atëherë Windows 11 dhe siguria që ofron është mëse e mjaftueshme.