“Dhe shpejtoni drejt faljes së Zotit tuaj dhe drejt një Xheneti, gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka…”
“Dhe furnizohuni për rrugë, por furnizimi më i mirë është devotshmëria.”
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Edhe vetëm disa orë na ndajnë nga hyrja në një prej stinëve më madhështore të jetës sonë shpirtërore; një sezon i begatisë, mëshirës dhe afrimit tek Allahu i Madhëruar. Janë ditë në të cilat hapen dyert e mirësive, shumëfishohen shpërblimet dhe Allahu i fton robërit e Tij të garojnë në vepra të mira, falje dhe devotshmëri.
Këto nuk janë ditë të zakonshme. Ato janë ditë të zgjedhura nga Allahu, ditë për të cilat Ai është betuar në Librin e Tij:
“Pasha agimin dhe pasha dhjetë netët.” (El-Fexhr: 1-2)
Prandaj, çdo besimtar duhet ta ndalë veten për një çast dhe të pyesë sinqerisht:
A jam përgatitur mjaftueshëm për këtë sezon të çmuar?
Me çfarë pajisjeje po hyj në këtë garë drejt kënaqësisë së Allahut?
A po hyjmë me zemër të gjallë apo me zemër të shpërqendruar?
Me pendim të sinqertë apo me vonesa dhe neglizhencë?
Me ambicie për Xhenetin apo vetëm me dëshira të vakëta?
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesa këto ditë”, domethënë dhjetë ditët.
(Transmeton Buhariu)
Në një hadith tjetër ai ﷺ ka thënë:
“Nuk ka vepër që është më e pastër dhe me shpërblim më të madh tek Allahu sesa një vepër e mirë që bëhet në këto dhjetë ditë.”
(Transmeton Ibn Maxhe dhe e saktësoi Albani)
Kjo do të thotë se çdo namaz, çdo sadaka, çdo lot pendimi, çdo dhikër, çdo faqe e lexuar nga Kur’ani dhe çdo vepër e mirë në këto ditë ka peshë të jashtëzakonshme tek Allahu.
Madje edhe haxhi i pranuar bart shpërblim madhështor. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Kush e kryen haxhin dhe nuk bën mëkate e as fjalë të pahijshme, kthehet si ditën kur e ka lindur nëna e tij.”
(Mutefekun alejhi)
Prandaj, këto ditë janë një mundësi që nuk duhet humbur. Shumë njerëz i prisnin vitin e kaluar, por sot nuk janë më mes nesh. Ndërsa ne ende kemi mundësinë të pendohemi, të ndryshojmë dhe të bëjmë vepra që mund të na shpëtojnë në Ditën e Gjykimit.
Me çfarë duhet të furnizohemi në këtë sezon?
Leximi i Kur’anit
Jo vetëm lexim me gjuhë, por meditim me zemër dhe përpjekje për të jetuar sipas ajeteve të tij.
Shtimi i duasë
Këto janë ditë në të cilat lutjet ngjiten lart dhe mëshira zbret. Lute Allahun për falje, udhëzim, furnizim hallall dhe përmirësim të zemrës.
Shumimi i dhikrit
Tesbihu, tehlili, tekbiri dhe istigfari janë ndër veprat më të dashura tek Allahu në këto ditë.
Kujdesi ndaj namazit
Sidomos falja me xhemat, përulësia dhe kujdesi ndaj kohëve të namazit.
Agjërimi
Veçanërisht agjërimi i ditës së Arafatit për ata që nuk janë në haxh, sepse ajo ditë shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm.
Sadakaja dhe bamirësia
Ndihmo të varfrit, gëzo familjet në nevojë dhe bëhu shkak i buzëqeshjes së dikujt.
Ndihma ndërvëllazërore dhe solidarizimi me njerëzit nevojtarë
Qëndro pranë atyre që kanë nevojë, lehtëso hallet e tyre dhe bëhu dorë ndihme për familjet në vështirësi. Këto ditë janë mundësi që zemrat të mbushen me mëshirë, solidaritet dhe kujdes për njëri-tjetrin.
Përhapja e të mirës dhe thirrja e njerëzve në të
Ftoji njerëzit në adhurim, në vepra të mira dhe në afrimin tek Allahu. Ndaje një këshillë të dobishme, motivo për namaz, për Kur’an, për sadaka dhe për pendim, sepse udhëzimi i njerëzve drejt së mirës është ndër veprat më të vlefshme tek Allahu.
Lidhja farefisnore dhe falja
Pastro zemrën nga urrejtja, pajtohu me njerëzit dhe afrohu me familjen.
Therja e kurbanit
Për ata që kanë mundësi materiale, kjo është një prej simboleve madhështore të këtyre ditëve dhe një shenjë afrimi tek Allahu.
Të dashur vëllezër dhe motra,
Këto ditë janë një tregti me Allahun. Fitues nuk është ai që ka më shumë pasuri apo famë, por ai që del nga këto ditë me zemër më të pastër, me mëkate të falura dhe me lidhje më të fortë me Krijuesin e tij.
Mos e lejo shejtanin të ta vjedhë këtë sezon me shpërqendrim, dembelizëm apo shtyrje. Filloje që sonte me nijetin e sinqertë, me pendim dhe me vendim për ta shfrytëzuar çdo orë në atë që e kënaq Allahun.
Le t’i bëjmë këto ditë stacion adhurimi, rrugë drejt faljes, devotshmërisë dhe Xhenetit të Allahut.
Allahu na bëftë prej atyre që i shfrytëzojnë këto ditë me sinqeritet dhe pranohen tek Ai. Amin.
Hoxhë Rufat Sherifi








