A ka mbetur derë për paqe, në mes të grave FEMINISTE dhe burrave MASKILISTË!?

Prof. Driton Arifi

Për burrat maskilistë e me prirje të egra patriarkale, gruaja është krijesë që duhet nënshtruar e mbajtur nën kontroll të fortë.

Ajo, në sytë e tyre mbetet krijesa që shihet vetëm si objekt kënaqësie dhe e bërë për qejfet e burrit e jo të vetat.

Gruaja, sipas tyre, andaj edhe duhet të mbetet e hijshme dhe e bukur, gjatë gjithë jetës, dhe nuk I LEJOHET ta humbë asnjëherë vitalitetin e saj.

Një burrë “ i vërtetë” tregon burrërinë tij, vetëm atëherë kur mbyllë veshët për çdo kërkesë të gruas së tij dhe ndaj saj sillet ashpër e me egërsi. Zëri i gruas për mendësinë e tij përbën një zhurmë, që doemos duhet ndalur.

Ndërsa për gratë feministe, burri mbetet rivali i saj i përbetuar, betejën me të cilën duhet ta zhvillojë e ta fitojë gjithsesi, por jashtë familjes.

Një grua feministe ndihet e fuqishme, vetëm atëherë kur mbetet e “çliruar” nga zgjedha e martesës, bashkëshortësisë, e amësisë.

Ajo s’don të bëhet bashkëshorte, e natyrisht as nënë. Don të mbetet grua. I mjafton kjo.

“Foshnjat më mbushin me tmerr. Pamja e një nëne me fëmijën e saj duke u ushqyer nga gjiri i saj….më mbushin me neveri dhe kështu më duket vetja sikur të isha një skllave, sikur të isha një krijese tjetër.” thoshte njëra prej ideologeve të tyre.

Mos të habitemi se këto teke, e ide të ngushta kapriqioze, nuk premtojnë e as nuk do të gjejnë paqe në mes vete, kurrë deri në Kataklizmë. Jeta për maskilistët dhe feminsitët do të jetë arenë e luftës së pakompromis, për jetë a vdekje pra e cila s’duhet ndalur gjer në FITORE.

Ndërsa Krijuesi i burrit dhe gruas ka një kërkëse të bekuar e hyjnore për të dy: Ai po kërkon që ata dy të bëhen partnerë të një rrugëtimi të çiltër në jetë, plotësues të njërit tjetrit, si dhe garues të bekuar, në garën e fisnikërisë se cili po shpreh më shumë dhembshuri, dashuri e mëshirë për tjetrin.

Ai tha:” Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje te ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhembshurore dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”. Err Rrum, 21.

Për një çift të tillë fëmija është bekim hyjnor e lumturi, e kurrë lodhje e neveri!!

Nga: Driton Arifi