Më shumë se një shekull pas kolonizimit, gjuha Ainu pothuajse u zhduk. E listuar nga UNESCO si një gjuhë në rrezik kritik, sot kanë mbetur vetëm një grup i vogël folësish amtarë.
Sipas të dhënave, në vitin 1870 rreth 15 mijë njerëz flisnin variante lokale të gjuhës Ainu. Por, për shkak të politikave shtetërore, përfshirë ndalimin e saj në shkolla, gjuha dhe kultura u zhdukën pothuajse plotësisht. Deri në vitin 1917, kishin mbetur vetëm rreth 350 folës amtarë.
Megjithatë, vitet e fundit kjo gjuhë duket se po përjeton një rilindje. Në vitin 2019, Japonia, përmes një ligji të posaçëm, i njohu ligjërisht Ainut si popull autokton.
Sot, projekte të ndryshme synojnë ta ruajnë dhe ta rigjallërojnë këtë gjuhë, përfshirë edhe inteligjencën artificiale (IA).
Sekine, një vajzë 20-vjeçare nga Hokkaido, rrëfen për BBC se në vendin ku u lind dhe u rrit, 80% e banorëve kanë prejardhje Ainu.
“Mendoj se familja ime është unike”, thotë ajo. “Babai im është gjithashtu mësues i gjuhës Ainu. E di që jam e veçantë dhe me fat.”

Ndërsa shumë nga nuancat e Ainut janë zhdukur me kohën, njohuritë vazhdojnë të ruhen, përfshirë më shumë se 80 mënyra për të përshkruar një ari, sipas të atit, Kenji Sekine.
Megjithëse gjuha Ainu është e njohur si gjuhë e dytë kombëtare në Japoni, ajo ende nuk përfshihet në kurrikulën shkollore në Hokkaido.
“Nxënësit nuk kanë mundësi të mësojnë rreth gjuhës dhe kulturës Ainu”, shpjegon një profesor arkeologjie dhe drejtues i Stacionit Global për Studime Indigjene dhe Diversitet Kulturor në Universitetin e Hokkaidos.
“Ekziston vetëm një imazh stereotipik i kulturës dhe historisë japoneze”, shton ai.
Duke u rritur, Sekine ndiente presionin për të ruajtur kulturën e saj, aq sa e fshehu prejardhjen në shkollë të mesme. Vetëm në universitet ajo pati guximin të përfaqësonte identitetin indigjen dhe të promovonte në mënyrë aktive kulturën Ainu.
Tani ajo është pjesë e një brezi të ri që synon të ripërcaktojë kuptimin e të qenët Ainu.
“Gjuha është gjëja më e rëndësishme për ne. Ajo është lidhja midis kulturës dhe vlerave”, thotë ajo.
Pavarësisht se sot ka pak folës, ekziston një depo e pasur me rrëfime gojore. Studiuesit kanë akses në arkiva audio me 300 deri në 400 orë të dhëna.

“Cilësia e zërit nuk është gjithmonë optimale, pasi shumica e regjistrimeve janë bërë me pajisje analoge në kushte shtëpiake”, thotë një profesor nga Universiteti i Kiotos.
Me mbështetje qeveritare, janë përdorur 40 orë regjistrime nga tetë folës të mbledhura nga Muzeu Kombëtar Ainu Upopoy dhe Muzeu i Kulturës Ainu Nibutani.
Këto janë pjesë e një arkivi më të gjerë me rreth 700 orë regjistrime, të grumbulluara që nga vitet 1970.
Në vitin 2015, Agjencia për Çështje Kulturore e Japonisë nisi digjitalizimin e arkivave për kërkime dhe arsim. Projekti me inteligjencë artificiale filloi tre vite më vonë.
Ekipi i Kawahara-s po zhvillon një sistem që përdor IA-në për sintezën e të folurit në gjuhën Ainu. Deri tani, teknologjia është trajnuar me të dhëna nga folës që kanë kontribuar me mbi 10 orë të regjistruara.
Ky sistem tashmë ka prodhuar të folur nga teksti për dy tregime të vjetra: Përralla e Ariut dhe Motra e Raijin, të transkriptuara në vitin 1958.
“Shpresoj që ky lloj IA-je të ndihmojë njerëzit e Hokkaidos dhe të rinjtë të mësojnë gjuhën e tyre”, thotë Kawahara.
Ambicia është që sistemi të zgjerohet me më shumë dialekte dhe përmbajtje bashkëkohore.
Por, sa e saktë është kjo teknologji?
Aktualisht, përkthimi nga IA është krahasueshëm me aftësitë e një studenti të diplomuar. Saktësia në njohjen e fjalëve arrin rreth 85%, ndërsa në fonema deri në 95% për folësit e trajnuar. Ky përqind përmbyset në 85% për folësit e dialekteve të tjera.

Sekine mbetet skeptike.
“Ai që e dëgjon duhet të dijë ç’është e vërtetë dhe çfarë jo”, paralajmëron ajo, e shqetësuar për përhapjen e shqiptimeve të gabuara.
Për komunitetin Ainu, gjuhësia është çështje identiteti. Kultura e tyre shpesh është përdorur për përfitime komerciale në Japoni, përmes turizmit, medias dhe tregtisë.
Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta mbi popullsinë Ainu sot, një sondazh i vitit 2023 zbuloi se 29% e tyre kanë përjetuar diskriminim, rritje prej 6% nga viti 2017.
Raportet sugjerojnë se ata kanë të ardhura më të ulëta dhe punësim më të paqëndrueshëm se mesatarja kombëtare.







