Ballina Artikuj A po e bëjnë “Smartfonat” procesin e edukimit më cilësor apo më...

A po e bëjnë “Smartfonat” procesin e edukimit më cilësor apo më mediokër

Xhasim Mutaua

Urime për një të porsalindur! Kjo shprehje tashmë po përdoret për telefonin e ri inteligjent që hyn në shtëpi dhe bëhet një anëtar i ri i familjes. Ai merr pjesë në detajet e përditshme të të gjithëve, u rrëmben ndjenjat dhe emocionet dhe ka një prani të fortë dhe të vazhdueshme mes anëtarëve të familjes. Ai është një anëtar i ri, rëndësinë dhe përfitimet e të cilit nuk i mohojmë, por ai e ka bërë marrëdhënien midis prindërve dhe fëmijëve një marrëdhënie sipërfaqësore, jo të thellë, një marrëdhënie naive, jo të zgjuar.

Nuk e mohojmë rëndësinë e pranisë së smartfonave në familje dhe as faktin që telefoni e ka lehtësuar komunikimin mes anëtarëve të familjes dhe e ka bërë atë të vazhdueshëm. Ai ka hapur horizonte për dialog, kërkim, shkëmbim fotosh, ndjenjash dhe kujtimesh ka afruar distancat mes tyre, sidomos kur janë larg njëri-tjetrit. Ai ka kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit të familjes përmes përmbajtjes së dobishme që ofron. Por pyetja mbetet: A ka kontribuar smartfoni në një marrëdhënie familjare të vërtetë? Apo është thjesht një komunikim dixhital pa ndjenja, pa ngrohtësi, pa përkujdesje dhe pa dashuri?”

Që edukimi të jetë i dalluar, i suksesshëm dhe të ketë ndikim të madh te fëmijët, ai duhet të ndërtohet mbi kontaktin me sy, prekjen, shprehjen e ndjenjave, mimikës së fytyrës, përqafimin dhe shprehjen e dashurisë me fjalë dhe vepra. Përveç kësaj, fëmijët duhet të shohin reagimet e prindërve në situata të jetës dhe sjelljes së tyre, që të mësojnë nga veprimet dhe morali i tyre. Po ashtu, ata duhet të dëgjojnë histori nga fëmijëria e prindërve, si dhe rrëfime për shtëpinë e gjyshërve dhe familjen e madhe.

Të gjitha këto aftësi edukative janë dobësuar me praninë e smartfonit në dorën e çdo anëtari të familjes. Simbolet emocionale (emoji) kanë zëvendësuar përqafimet dhe shikimet, shprehjet emocionale dhe prekjet e ngrohta edhe kur familja jeton në të njëjtën shtëpi. Dëgjimi i vërtetë është zvogëluar, pasi çdo fëmijë është i zënë në botën e tij dixhitale. Dhe në vend të prindërve në edukim janë bërë “YouTube”, ndërsa lumturia e tyre gjendet te “TikToku”, modelet e tyre janë në “Instagram” dhe marrëdhëniet e tyre në “Snapchat”.

Ndikimi i babait dhe nënës ka humbur mes zhurmës së ekranit. Vlera, morali dhe edukimi fetar kanë humbur mes zhurmës së jetës digjitale. Dashuria filloi t’u arrijë fëmijëve në mënyrë elektronike. Morali merret nga të famshmit dhe vlerat mësohen nga influencierët. Pra edukimi u bë kolektiv pa familje dhe pa praninë e prindërve.

Familja humbi momentet e edukimit natyror dhe të vërtetë gjatë vakteve të ngrënjies, daljeve, uljeve dhe bisedave, përballë heshtjes së telefonave. Dialogu në familje u bë i shkurtër dhe i shpejtë. Nga fëmijët dëgjon shpesh fjalë pa kuptim si: “Jam i zënë”, ndërkohë që janë të zënë me ekranin. Kur i kërkon të vijnë të thonë: “Një moment”, por ai moment kthehet në orë për shkak të telefonit. Kur u jep një detyrë të thonë: “Për pesë minuta” por kalojnë minutat dhe orët pa asnjë rezultat siç premtuan.

Kështu, smartfoni e ka shndërruar marrëdhënien edukative në një marrëdhënie jo të zgjuar, por mediokre

Nëse duam ta bëjmë edukimin të zgjuar duhet të sillemi me mençuri ndaj smartfonit. Edukimi i vërtetë nuk matet me numrin e mesazheve që i dërgon fëmijës nga telefoni por me numrin e momenteve që ulesh me të dhe kohën që kalon me të pa angazhime dhe pa njoftime.

Nëse prindërit duan një edukim të suksesshëm dhe një atmosferë familjare të bazuar në dashuri dhe dialog duhet të vendosin rregulla që sistemojnë përdorimin e ekranit në mënyrë që të mos humbasin busullën e edukimit në shtëpi. Ata duhet të jenë të vendosur në zbatimin e këtyre rregullave, dhe këto duhet të vlejnë për të gjithë, madje edhe për babanë dhe nënën.

Vetëm atëherë edukimi do të jetë i thellë dhe jo sipërfaqësor, do të jetë i zgjuar e jo mediokër.

Autor: Xhasim Mutava

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com