A po hapërojmë rrugëve të hixhretit?

Amir Durmiq

Allahu xh.sh. thotë:
“Ata që migruan për hir të All-llahut, e pasi që u torturuan, atyre gjithsesi do t’u mundësojmë vendbanim të mirë edhe në këtë botë, po shpërblimi i botës tjetër është edhe më i madh, sikur njerëzit ta dinin (për atë shpërblim).
Janë ata që bënë durim edhe vetëm Zotit të tyre iu mbështetën.“ (En – Nahl, 41-42)
Kurdo që afrohet koha e vitit të ri hixhri, muslimanët mendojnë për Hixhretin si një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë islame. Kjo ngjarje shënoi fillimin e një epoke të re në etapën e ngjarjeve botërore dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në tërë historinë e njerëzimit.
Tregimi për Hixhretin është i gjatë, gati pa fund dhe pak ka ngjarje në historinë islame për të cilat është shkruar dhe folur më shumë.
Hixhreti është inspirim i përhershëm për gjitha gjeneratat e ummetit tek e cila gjithmonë sërish ndalen dhe mendojnë për mësimet dhe mesazhet e saj. Në mesin e porosive dhe mësimeve të mëdha të Hixhretit, këtë herë i veçojmë disa të cilat në kohën e sotit mund gjithsesi të na shërbejnë.

Planifikimi e jo improvizimi

Pejgamberi s.a.v.s. është krijesa më e mirë e Allahut që ndonjëherë ka ecur në sipërfaqen e tokës. Ai ka qenë i zgjedhuri dhe i dashuri i Allahut, e me këtë edhe më i përafërti nga gjitha krijesat tjera që Zoti i tij ta ruajë nga intrigat e pabesimtarëve dhe hipokritëve.
Por, edhe pas kësaj me qëllimin e tij që të bëjë Hixhretin, asgjë nuk ia la rastësisë.
Nuk kërkoi nga Allahu që në Medine ta sjellin melekët e ndershëm, dhe as nuk bëri lutje për ndonjë mrekulli që Allahu xh.sh. me forcën e Tij me veprim të shkurtër ta “transferojë” në Medine. Nëse shfletojmë librat e biografisë së Pejgamberit s.a.v.s. apo përmbledhjet e haditheve në të cilat hollësisht përshkruhet kjo ngjarje, do të shohim që emigrimi i Pejgamberit s.a.v.s. nga Meka në Medine ka qenë me kujdes, i planifikuar, deri në detajet më të imëta i përpunuar.
Mekën e lëshoi natën në shoqërinë e mikut të pandashëm të tij, Ebu Bekrin r.a. dhe u drejtua në shpellën Thevr ku qëndruan tri ditë derisa përndjekja nuk u qetësua. Në fillim u drejtuan në drejtimin jug-perëndim e jo në veri ku gjindet Medina, në mënyrë që me këtë potez t’i mashtrojnë idhujtarët.
Që më parë në shpellën Thevr ishte bërë dakordimi i takimit me udhëzuesin e marrë me qira, përndryshe idhujtar me emrin Abdullah b. Urejkit, i cili shumë mirë e njihte rrugën deri në Medine dhe shkathtësinë e mbijetesës në shkretëtirë. Ai me vete solli dy deve të racës së mirë të cilat më parë i kishte blerë Ebu Bekri r.a. me qëllim që me ato të kalëronin deri në Medine.
Fillimisht ishte planifikuar që bija e Ebu Bekrit r.a., Esmaja r.a., rregullisht t’u sillte ushqimin, ndërsa djali i tij, Abdullahu r.a., për çdo ditë t’u sillte lajmet dhe informatat nga Meka, të cilat u interesonin atyre për përndjekjen e idhujtarët. Shërbëtori i Ebu Bekrit, Amir b. Fuhejre, gjithashtu me planin e skicuar ruante delet afër shpellës dhe rregullisht i furnizonte me qumësht të freskët dhe mish, ndërsa gjatë kthimit delet i i drejtonte nëpër rrugën të cilën vinin Esmaja dhe Abdullahu për t’i mbuluar gjurmët e tyre.
Kjo është shkurtimisht vetëm një dromcë e planifikimit të vëmendshëm të Hixhretit të Pejgamberit s.a.v.s. i cili tregon qartë në planin tejet serioz dhe rregulluar në pikëpamje strategjike në mënyrë kulminante, i cili me ndihmën e Allahut rezultoi me fryte.
Të mendojmë sot për situatën e shumës muslimane në botë, do të shohim se shumica prej tyre në rrugën e realizimit të qëllimeve të caktuara kurrsesi nuk i përmbahen principit të planifikimit dhe organizimit, por veprimet e tyre kryesisht janë improvizime dhe të shpejta në kohë dhe hapësirë për shkak të rrethanave që dikton situata momentale. Këto veprime shpesh ose sjellin më shumë dëm se dobi, ose dobia e tyre eventuale është gati neglizhuese dhe margjinale në krahasim me atë që do të sillte planifikimi dhe organizimi paraprakisht. Përkujtojmë vetëm reaksionet e muslimanëve në sulmet e ashpra të kohëpaskohshme në personalitetin dhe veprën e Pejgamberit s.a.v.s. Gati nuk ka në botën islame një mekanizëm të formësuar me plan nëpërmes të cilit muslimanët do të përgjigjeshin në këto sulme. Tërbimet paushalle dhe retorika agresive për tani janë kryesisht reaksionet e muslimanëve në këto sulme të turpshme, ndërsa goditje kthyese të matura dhe të mençura gati nuk ka. Veprime kësisoji nuk na ka mësuar Pejgamberi s.a.v.s. për çfarë flet më së miri ndodhia e Hixhretit.

Pa punë kolektive nuk ka sukses kolektiv

Në periudhën para Hixhretit, muslimanët në Mekë kryesisht kanë vepruar në mënyrë individuale duke marrë parasysh rrethanat në të cilat gjindeshin. Shumica e sahabëve e fshihnin besimin e tyre në periudhën mekase dhe veprimi i tyre kishte karakter individual. Me kalimin e Pejgamberit s.a.v.s. dhe sahabëve në Medine dhe zhdukjen e pengesave, u organizuan dhe vepruan me transparencë në fushën e përhapjes së fesë së Allahut.
Ndërtimi i xhamisë e cila ishte qendër e tubimit, planifikimit dhe konsultimit të të gjitha aktiviteteve me rëndësi të dobisë së përgjithshme për islam dhe muslimanët, ishte hyrje në ndërtimin e sistemit kompleks fetar, ekonomik, social, politik, ushtarak, i njohur si shteti islam. Ky sistem i cili funksionoi mrekullueshëm dhe për një kohë të shkurtër prodhoi rezultate tejet të mëdha, pati sukses dhe ishte briliant duke iu falënderuar përpjekjeve të përbashkëta dhe mundin e bashkuar të individëve, d.m.th. punës ekipore (me xhemat). Shikojmë sot situatën në të cilën gjindet numër i madh i vepruesve në fushën e da’ves – ftesës islame, të cilët me sinqeritet dëshirojnë të përhapin besimin islam dhe vlerat e tij dhe të kontribojnë në ringjalljen e sërishme të potencialit të madh të përgjumshëm dhe të vdekur i cili shtrihet në këtë ummet, do të hasim që numër i i madh i tyre vepron në mënyrë të pavarur dhe individuale pa ndonjë dëshirë të veçantë për t’u lidhur me muslimanët tjerë që punojnë në të njëjtin mësim.
Arsyetime për këtë qëndrim ka me qindra, mirëpo më së shpeshti ka të bëjë me mungesën e kuptimit të drejtë të prioriteteve me të cilat ka ardhur Pejgamberi s.a.v.s. si dhe mungesë e zemërgjerësisë dhe dëshirës që të kalohet nëpër gabimet dhe lëshimet e tjerëve, të gjitha me qëllim të realizimit të shumicës së qëllimeve. Frutet e përpjekjeve individuale të numrit të madh të aktivistëve islam askush nuk mund t’i anashkalojë, si dhe resurset fizike dhe intelektuale mu ashtu sikur e kanë bërë këtë Pejgamberi s.a.v.s. dhe muslimanët e parë pas Hixhretit. Idetë dhe projektet në realitet mund të lëvizin individët, por kryesisht implementimi i tyre asnjëherë deri në fund nuk do të realizohet, pos nëpërmes punës dhe veprimit kolektiv. E mos të ishte kështu, lënia dhe anashkalimi i kolektivit paraqet kundërvajtje të urdhrave të qarta të Pejgamberit s.a.v.s. që muslimanët t’i përmbahen bashkësisë.
Në mes tjerash, Pejgamberi s.a.v.s. në këtë kontekst ka thënë sa vijon: “Kush e dëshiron pjesën e mesme të Xhennetit, le t’i përmbahet xhematit, ngase shejtani është me individn, ndërsa nga dy veta qëndron larg . . .”
Tërheqja e potezëve të pavarur pa konsultim paraprak me njerëzit ekspert, pa marrë parasysh për çfarë profesioni bëhet fjalë, shpesh dinë të rezultojnë me pasoja katastrofike, qoftë edhe nëse individi në fjalë është edhe ekspert i madh në profesionin që merret. Duke marrë parasysh që ftesa në fenë e Allahut është më fisnike, por njëkohësisht edhe profesion më me përgjegjësi në botë, atëherë edhe vepruesit në këtë fushë janë më të përafërt që të punojnë bashkarisht, duke u këshilluar dhe përmirësuar njëri-tjetrin.

Islami kërkon sakrifica

Të lësh tërë pasurinë, prindërit, vëllezërit, motrat, shokun e jetës, bile edhe fëmijët vetëm për hir të Allahut dhe Pejgamberit të Tij, nuk është aspak e lehtë dhe e thjeshtë. Muhaxhirët e bënë këtë. Për hir të islamit me zemër të çiltër lanë absolutisht çdo gjë që kishin duke besuar fuqishëm që Allahu do t’u plotësojë çdo gjë që humbën, e që në fund edhe ndodhi.
Kthehemi përsëri në situatën aktuale të muslimanëve në botë, do të bindemi që është një numër i vogël i atyre që janë plotësisht të përgatitur të sakrifikohen në rrugën e realizimit të qëllimeve të larta të islamit, edhe pse është numër i madh i atyre që janë gati të bindur që për diç të tillë janë gjithsesi të aftë. Ata të cilët vërtet mendojnë që edhe ata në rrugën e islamit heqin dorë nga çdo gjë që kanë (me arsyetim se kanë zgjedhje të drejtë), le ta vërtetojnë dhe vënë në provim sinqeritetin e vetëllogaritjes.
Sa ka muslimanë sot që në netët më të gjata janë të gatshëm të bëjnë “hixhret” nga krevati i nxehtë, të shkojnë deri tek banjo dhe me ujë të nxehtë të marrin abdes dhe në dhomën e nxehtë të falin namazin e natës në të cilin do të lexojnë sure të shkurtra, duke e ditur që vetëm dy rekate namaz te Allahu janë më të vlefshëm se dynjaja dhe çdo gjë në të.
Sa muslimanë janë të gatshëm që nga të ardhurat e tyre, sado qofshin modeste, rregullisht të ndajnë një pjesë dhe t’u japin atyre që janë të nevojshëm, duke besuar fort në fjalët e Pejgamberit s.a.v.s. që dhënia e sadakës nuk zvogëlon pasurinë?
Sa janë të tillë që për hir të Allahut janë të gatshëm të lënë mëkatet haptazi dhe fshehtazi siç janë në mes tjerash zilia, përgojimi, shikimi në atë që Allahu e ka ndaluar . . . si dhe të heqin dorë nga luksi, d.m.th. “mëkateve të vogla” të cilët ngadalë por me siguri shkatërrojnë zemrat e njerëzve, duke ditur që Pejgamberi s.a.v.s. një njeriu i tha: “Hixhreti më i mirë është t’i lësh dhe tejkalosh ato që Zoti yt i urren dhe përbuz . . .”
Për këto rezultate dhe provimeve të ngjajshme muslimanët nuk duhet ta lajmërojnë askënd nga krijesat, ndërsa Zoti i kozmosit gjithsesi për çdo gjë është i informuar. Mirëpo, duhen me qenë gjithsesi të vetëdijshëm që ai që nuk ka mësuar të mbledh dhe zbrit, asnjëherë nuk është në gjendje që të zgjidh detyrat matematikore të komplikuara me shumë të panjohura, ndërsa për thyesat dhe polinomet mos të flasim.
Poashtu, as muslimanët të cilët në gjendje të rehatisë më të madhe dhe sigurisë nuk janë të përgatitur që të heqin dorë nga koha e tyre apo thërrmijave të mjeteve materiale që t’i ndihmojnë vetit (në ahiret) dhe tjerëve (në dynja), vështirë që do të jenë të gatshëm që në rrugën e islamit të përballojnë diç më tepër se kjo.
Për këtë, e kemi obligim që fillimisht të punojmë në përmirësimin e vetvetes dhe familjeve tona, që të largohemi nga gjitha llojet e mëkateve dhe t’i lutemi sinqerisht Allahut që të mos na vëjë në sprova që nuk mund t’i përballojmë.
Muhammedi s.a.v.s. dhe gjeneratat e para të muslimanëve në çdo gjë janë për ne shembulli më i mirë, po a ka të tillë që me përpikmëri dhe pa u luhatur nisen hapave të tyre?

Amir Durmiq
Përktheu dhe përshtati: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)