Abdi Baleta – Një nga ideologët më të shquar të kombit shqiptar

Adnan Qaka

Abdi Baleta pa dyshim zë një ndër vendet më të veçanta në panteonin e mendimtarëve dhe ideologëve më të rëndësishëm të kombit shqiptar. Figura e tij qëndron krah për krah me kolosët e mendimit kombëtar si Sami Frashëri dhe Hoxhë Tahsini. Ai ishte jo vetëm një intelektual i kalibrit të lartë, por edhe një vizionar largpamës, një atdhetar i palëkundur dhe një ideolog i spikatur i çështjes panshqiptare.

Veprimtaria e tij përfshin një gamë të gjerë fushash, nga politika dhe diplomacia, te publicistika, analiza e çështjeve të identitetit kombëtar dhe roli i fesë në jetën e shqiptarëve. Me veprat e tij të shumta – libra, shkrime, intervista dhe analiza të thelluara – ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendimin politik dhe shkencor shqiptar. Gjuha e tij ka qenë gjithmonë e qartë, e fuqishme dhe e pamëshirshme ndaj çdo padrejtësie që i është bërë kombit shqiptar, kudo në hapësirën ballkanike.

Abdi Baleta do të mbahet mend si një intelektual i pakompromis, i cili nuk u përkul kurrë para presioneve politike apo trysnive ideologjike, por qëndroi gjithmonë në mbrojtje të interesit kombëtar. Ishte një zë i fortë që artikuloi me guxim rreziqet që i kanoseshin shqiptarëve, veçanërisht në lidhje me përpjekjet për t’i ndarë shqiptarët nga trashëgimia e tyre kulturore dhe fetare.

Një pjesë shumë e rëndësishme e mendimit të tij kishte të bënte me mbrojtjen e identitetit islam të një pjese të madhe të shqiptarëve. Ai argumentoi fuqishëm se islamofobia nuk është thjesht një qëndrim fetar, por në vetvete një formë e antishqiptarizmit. Sipas tij, ata që sulmojnë besimin islam dhe shqiptarët myslimanë, nuk mund të pretendojnë se janë atdhetarë, por janë, në thelb, përfaqësues të një mendësie armiqësore ndaj vetë qenies shqiptare.

Në këtë kontekst, Abdi Baleta ishte një mbrojtës i denjë i vlerave të identitetit të shumëfishtë shqiptar, i cili përfshin elementin etnik, kulturor dhe fetar si pjesë të pandashme të njëri-tjetrit. Ai i qëndroi gjithmonë besnik idesë se uniteti kombëtar nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e përkatësive, por mbi pranimin, harmonizimin dhe fuqizimin e tyre.

Për fat të keq, nuk pata mundësi ta takoja ndonjëherë personalisht, megjithëse e kisha ëndërr ta takoja dhe të përfitoja nga dija e tij e pasur dhe e thellë. Por kjo ishte caktimi i Allahut. Lus Zotin që të na bashkojë me të në xhehnet, në mesin e atyre që punuan për të mirën e kombit dhe të umetit.

Abdi Baleta do të mbetet frymëzim për brezat e rinj të shqiptarëve që kërkojnë të kuptojnë thelbin e çështjes kombëtare në një realitet të ndërlikuar dhe shpesh të rrezikshëm. Kontributi i tij është dhe do të mbetet një trashëgimi e çmuar për kombin shqiptar dhe për të gjithë ata që besojnë në drejtësi, dinjitet dhe identitet të patjetërsueshëm.

Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenet këtë mendimtar dhe ideolog të shquar të shqiptarëve.

Adnan Qaka