Ademi largohet nga Rusia, vazhdon në Zvicër

Sulmuesi Kemal Ademi më nuk është pjesë e skuadrës ruse të futbollit, Khimki. Në fakt Ademi ka kohë që nuk ishte duke luajtur për Khimkin, por ishte pjesë e kësaj skuadre.

Ai të premten u transferua nga ekipi rus te Luzerni i Superligës së Zvicrës. Me Luzernin firmosi kontratë të vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2025.

Ademi 27-vjeçar është i lindur në Gjermani, por është rritur në futbollin zviceran. Është zhvilluar te skuadrat Herisau e St. Gallen. Më pas ishte te Hoffenheimi në Gjermani, ndërsa shpërtheu te Xamaxi dhe Baseli në Superligën e Zvicrës.

Në tetor të vitit 2020 kaloi te Fenerbahçe në Turqi, por nuk shpërtheu. U huazua te Karagumruk, ndërsa në gusht të vitit 2021 u transferua te Khimki rus. Pasi nisi lufta në Ukrainë, Ademi kaloi si huazim te Paderborgni e më pas te Sandhauseni në Gjermani. Edicionin e kaluar shënoi një gol në 16 paraqitje në Bundesliga 2 për Sandhausenin.

Tani shtatlarti u kthye në Zvicër me synim për të kthyer karrierën në rrugën e duhur.

“Me kualitetin e tij Kemal Ademi është një përforcim idel për qendrën tonë të sulmuit”, ka thënë drejtori sportiv i Luzernit, Remo Meyer.

“Kemali ka dëshmuar në të kaluarën se është kërcënim për portat kundërshtare dhe jemi të bindur se ai do të gjejë formën e vjetër në skuadrën tonë”, ka shtuar Meyer.

Ademi do të bashkohet me skuadrën të hënën, ndërsa do ta mbajë fanellën me numër 99.

Kemal Ademi për shumë kohë është kërkuar nga Kosova. Madje nga FFK-ja ishte thënë se në një moment ishte pranë që të zyrtarizohej si pjesë e Kosovës. Por në momentin e fundit ndërroi mendje. Ai ende nuk ka luajtur për ndonjë përfaqësuese.

Luzerni kampionatin e kaluar e përfundoi në pozitën e katërt në Superligën e Zvicrës. Pjesë e kësaj skuadre janë Ardon Jashari, Denis Simani, Ismajl Beka e Lorik Emini. Jashari pritet të largohet për te ndonjë skuadër më e madhe evropiane.