Agjërimi në Ditën e Arafatit

Pyetje: Kam dëshirë që të agjëroj në Ditën e Arafatit. Mirëpo atë ditë i qëllon që të jetë ditë e Xhuma. A lejohet me agjëruar vetëm në këtë ditë?

Përgjigja: Me emrin e Allahut Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për Profetin (a.s) dhe për të gjithë ata të cilët e pasuan dhe do ta pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Agjërimi vetëm në Ditën e Xhuma konsiderohet i papëlqyeshëm (mekruh). Megjithatë ky vendim nuk është absolut. Sepse agjërimi i Ditës së Xhuma konsiderohet i papëlqyeshëm (mekruh) për atë njeri i cili e veçon dhe ka për nijet vetëm agjërimin e kësaj dite. Në lidhje me këtë Profeti (a.s) ka thënë: “Mos e veçoni Ditën e Xhuma me agjërim dhe as natën e saj me falje të namazit”[1]

Nëse njeriu agjëron Ditën e Xhuma dhe kjo ditë përkon me agjërimin e një dite që ai e ka bërë zakon që të agjërojë, atëherë nuk është problem që të agjërojë atë ditë të xhumaje. Për shembull nëse njeriu e ka bërë zakon që të agjërojë një ditë po dhe një ditë jo, atëherë padyshim që një herë në dy javë atij i bie që të agjërojë vetëm të Xhumanë. Ky lloj agjërimi është i lejuar dhe nuk konsiderohet i papëlqyeshëm. Po kështu nëse njeriu dëshiron të agjërojë Ditën e Arafatit dhe kjo ditë përkon me Ditën e Xhuma, agjërimi i tij në këtë rast është i lejuar dhe nuk konsiderohet i papëlqyeshëm, sepse në këtë rast njeriu nuk ka për qëllim veçimin e Ditës së Xhuma me agjërim, por ka si qëllim agjërimin e një dite të shënuar që është Dita e Arafatit. Po kështu përsa i përket agjërimit në Ditën e Ashurasë.

Allahu e di më mirë.