Ahmeti inspekton punimet e QMF Veternik, qytetari e quan “kriminel të planit urbanistik”

Pasditen e së mërkurës, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, shoqëruar nga drejtori për Shëndetësi, Bujar Gashi, inspektuan punimet e Qendrës së parë të Mjekësisë Familjare në rrugën “Kujtim Laro” të lagjes Veternik. Megjithëse, shumë të lumtur nuk ishin qytetarët e kësaj ane që shprehën mllefin ndaj Ahmetit.

Ahmeti potencoi se me ndërtimin e kësaj QMF-je plotësohen nevojat e kësaj zone të kryeqytetit të cilët detyrohen që shërbimet mjekësore t’i marrin në QMF në Kalabri ose në Mat.

Për QMF e Veternikut kreu i Prishtinës tha se do të plotësojë të gjitha kërkesat e qytetarëve që jetojnë në këtë anë dhe se përfundimi i saj i tërësishëm pritet të ndodhë në fund të këtij viti.

“Kjo është pjesa e Prishtinës e cila nuk është e mbuluar me rrjetin e Qendrës se Mjekësisë Familjare, pra shumica e tyre ose kanë shkuar në Kalabri ose në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mat dhe tash me këtë do të zhvillojmë Prishtinën e re në anën nga lagjja ‘Qëndresa’ dhe në lagje të ndryshme që po zhvillohen në këtë pjesë të qytetit. Kjo qendër pritet të përfundojë deri në fund të vitit dhe do t’i ofrojë të gjitha nevojat që i ka një Qendër e Mjekësisë Familjare duke përfshirë edhe laboratorin edhe biokiminë. E kemi thënë shumë herë që në Prishtinë kjo qendra e mjekësisë, ose nuk përmendet, ose nuk harrohet, dhe jam i gëzuar që nuk përmendët shpesh si problem”, deklaroi Ahmeti.

Mirëpo, ndërtimi i kësaj Qendre të Mjekësisë Familjare nuk është mirëpritur nga disa qytetarë përreth te cilat tashmë janë në kontest gjyqësor me Komunën e Prishtinëse të njëtit pretendojnë se kjo qendër do t’ua vështirësojë jetën.

Njëri prej tyre, Reshat Sahitaj, e quajti kryetarin e Prishtinës si “kriminel të planeve urbanistike” i cili po i mbyll rrugën që çon në shtëpinë e tij.

“Kjo ambulantë është gropë septike që do t’i helmojë qytetarët e Kosovës me mbeturina të ËC-së që do të dalin në rrugë, jemi që dy muaj unë dhe fqinjët e mi në kontekst kundër kësaj ambulante. Po i mbyll rrugët. Një fqinj tim të cilit iu ka mbyll një rrugë, rruga ime po ashtu në anën tjetër është mbyllur, shteti hap rrugë, shteti nuk mbyll rrugë. Pastaj ambulanca nuk i përmbush kushtet urbanistike sepse në bazë të ligjeve ambulanca nuk i ka 30% të gjelbërimit, pra është një ambulant e cila është ndërtuar me vendimin e Shpend Ahmetit, që për mua Shpend Ahmeti është kriminel i planeve urbanistike në Prishtinë se e ka shkatërruar planin urbanistik në vend se ta ndërtojë”, tha ky qytetar.

I njëjti mendon se Komuna e Prishtinës nuk është duke e ndërtuar QMF-në në tokën e saj dhe se ajo gjendet 50 metra larg nga vendi ku po ngrihet kjo ndërtesë e këtij institucioni primar shëndetësor.