Ajeti më madhështor në Kur’an – Ajetul Kursija (tespih duaja)

Tespi Dova

“Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij. Të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit (Mbikëqyrësit) të gjithçkaje! Atë nuk E kaplon as dremitja (kotja), as gjumi. Gjithçka ka në qiej dhe në Tokë, është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë, kurse të tjerët nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshin qiejt dhe Tokën, kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë. Ai është më i Larti, më i Madhi (Madhështori)”! (El-Bekare, 255)

Ajetul Kursija – ajeti më me vlerë dhe më madhështor në Kur’an

Allahu i Madhërishëm, pasi rrëfen në ajetet paraprake përçarjen e popujve pas dërgimit të pejgamberëve a.s., luftën ndërmjet tyre si dhe mosbesimin e përgënjeshtrimin e tyre pas paraqitjes së argumenteve nga Allahu xh.sh. nëpërmjet pejgamberëve, më pastaj vjen ky ajet, i cili përfshin bazat e besimit hyjnor islam. Në të përmenden cilësitë – emrat e Krijuesit, që vërtetojnë Njëshmërinë e Tij, mbase çdo cilësi e Allahut xh.sh. në këtë ajet përmban një nga bazat e përgjithshme të konceptitislam, mbi të cilat ndërtohet besimi, programi dhe sistemi islam si tërësi(1).
Ajetul-Kursija përmban dy të vërteta esenciale dhe bazike të Islamit, të cilat vërtetojnë Njëshmërinë e Zotit një – Allahut, si dhe forcojnë zemrat e atyre që E besojnë Atë me devotshmëri, duke i ruajtur ata nga çfarëdo lloj ndikimi të mosbesimit e dyshimit.
E para, ky ajet përfshin dhjetë maksima, secila prej të cilave përmban një apo dy cilësi të Allahut xh.sh., që vërtetojnë bindshëm për fuqinë, dijen dhe pushtetin e Tij, që argumentojnë se Ai është Zot i Vetëm në gjithësi. Kurse
E dyta, krahasuar me ajetet e tjera, ky është ajeti kuranor në të cilin përmendet më së shumti Emri i Allahut xh.sh.. Mbështetur në hadithe të Muhamedit a.s. dhe në këto dy maksima përmbajtje sore, shumë dijetarë mendojnë se ky është ajeti më madhështor në Kuran(2).
Ebu Dherri thotë: E kam pyetur Muhamedin a.s.: Cili ajet është më madhështori që të ka zbritur? Ai u përgjigj: Ajetul Kursija(3).
Transmeton Ebu Hurejre se Muhamedi a.s. ka thënë: “Në kaptinën El-Bekare gjendet një ajet që është zotëria i të gjitha ajeteve, nëse lexohet në shtëpi, ku është shejtani, ai do të ikë prej saj”(4).
Ubejj Bin Ka’bi transmeton se Pejgamberi a.s. i kishte thënë një ditë: “O Ebu Mundhir! A e di se cili ajet në Kur’an është më i vlefshmi”? I thashë “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri”! Më pyeti përsëri: “O Ebu Mundhir! A e di se cili është ajeti më i vlefshëm në Kur’an”? Iu përgjigja: “Ajetul- Kursija”. Ai më vuri dorën në gjoks dhe më tha: “Pasha Allahun (ai është)! Të pastë hije dituria (e gëzofsh këtë dituri), o Ebu Mundhir”. [Transmeton Muslimi](5).

”Allahu (është Një)! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij”.

Allahu – Zoti i gjithësisë është i vetmi Që meriton të adhurohet me plot të drejtë, dhe askush tjetër përveç Tij. Kjo e vërtetë absolute dëfton prerazi Njëshmërinë e Allahut xh.sh., që konsiderohet themel i Islamit dhe program i jetës së myslimanëve në tërësi, prandaj mbi këtë bazë të fortë ndërtohet edhe adhurimi ndaj Zotit Një. Njeriu nuk është krijesë e askujt tjetër përveçse e Allahut Fuqiplotë, prandaj njeriu nuk drejtohetpër lutje, ndihmë dhe respekt përveçse tek Ai. Nuk ka zot tjetër përveç Tij, e të tjerët që quhen zota, janë shumë, por të fantazuar, imagjinuar dhe adhurohen pa të drejtë e kot, sepse janë të trilluar, kurse Allahu është i vetmi Që meriton të adhurohet, sepse është Një i Vetëm, i cilësuar nga jeta e përhershme, i pafillim e i pambarim, ekzistenca e Tij është absolute dhe e domosdoshme(6).
Në fjalinë “nuk ka zot tjetër përveç Tij“, kemi dy çështje esenciale: Mohimin në pjesën e parë “nuk ka zot tjetër”, dhe vërtetimin në pjesën e dytë “përveç Tij“, kjo d.m.th se Allahu xh.sh. ka mohuar për veten e Tij që të ketë ortak dhe ka vërtetuar Njëshmërinë e Tij. Nga kjo rezulton se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë adhurimi përveç Zotit të Vërtetë – Allahut.
Kështu, Krijuesi ka vërtetuar dhe dëshmuar Njëshmërinë e Tij dhe adhurimin e merituar ndaj Tij, sepse është i vetmi Krijues i çdo gjëje dhe i vetmi furnizues. Emri “Allah” është emër që Zoti e ka zgjedhur për Veten e Tij, i cili përmban dhe përmbledh të gjitha cilësitë dhe emrat e bukur të Tij, dhe për këtë na ka informuar nëpërmjet Shpalljes kuranore. Ai ka edhe shumë emra të tjerë, por Emri Allah është më madhështori dhe më i famshmi. Në këtë mënyrë Ai demantoi spekulimet dhe gënjeshtrat e pabesimtarëve lidhur me ekzistencën e zotave të tjerë si dhe trillimin kinse Ai ka djalë, prandaj në Kuran tha: “Thuaj: “Nëse përveç Atij do të kishte edhe zota të tjerë, siç thonë ata, atëherë ata do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj të Madhëruarit (për t’ia marrë pushtetin). I lavdëruar dhe i lartësuar është Ai mbi atë që thonë ata”! (El-Isra’ë, 42-43)(7).
Shumica e komentuesve të Kuranit mendojnë se kjo pjesë e ajetit nënkupton: Nuk meriton të adhurohet me të drejtë dikush tjetër përveç Allahut – Zotit të Vërtetë, ngase shumë njerëz adhurojnë zota të trilluar si: Krishtin, Budën, Diellin, zjarrin, dreqin e mallkuar, idhuj të ndryshëm etj.. Kjo përmban edhe nënshtrimin e plotë të tërë gjithësisë ndaj Fuqisë absolute të Krijuesit dhe Ligjeve të Tij, që nënkupton se nuk ka krijues dhe mbikëqyrës tjetër përveç Allahut xh.sh.. Ai është absolut në qenien e Tij me të gjithë emrat dhe cilësitë e Tij, është i pakrahasueshëm dhe i pashembullt. Çdo gjë në gjithësi, në një mënyrë a në një tjetër, i nënshtrohet Madhërimit dhe Vullnetit të Tij, njerëzit me dëshirë, e pjesa tjetër e botës së gjallë ose jo të gjallë me nënshtrim, një fakt i konfirmuar në Kuran: “Atë E madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asnjë send që nuk E madhëron Atë, duke E lavdëruar, po ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata”. (El- Isra, 44)(8).
Pasi gjithësia me miliona galaktika ekziston dhe funksionon në mënyrë precize, atëherë ekziston vetëm një Zot, ngase, po të ekzistonin më shumë, atëherë do të shkatërrohej çdo gjë për shkak të luftës me njëri-tjetrin për mbizotërim, pushtet e mbikëqyrje të botës. Mbështetur në këtë të vërtetë absolute, Allahun xh.sh. E madhëron çdo gjë në gjithësi dhe çdo send u përmbahet me dashje ose jo ligjeve të Tij të vendosura në ekzistencë, madje edhe vetë njeriu, i cili nuk mund të jetojë pa ushqim, pa ujë, pa oksigjen e pa gjumë! Ai nuk mund të jetojë i pavarur, ngase i duhet t’u nënshtrohet ligjeve hyjnore mbi sëmundjet, pleqërinë dhe vdekjen! E si mund të jetë zot njeriu i tillë?!. Dielli, Hëna dhe planetët e tjerë, kodrat e malet, bota bimore e shtazore si tërësi, të gjitha i përmbahen ligjit Tij në gjallërinë dhe funksionimin e tyre, dhe kjo nënkupton
madhërimin e Allahut. Pa këto ligje asnjë krijesë nuk mund të zhvillojë jetë, prandaj këto ligje janë të vendosura nga dikush që nuk i përket natyrës njerëzore dhe nuk ka nevojë për askënd, madje është i pavarur në mënyrë absolute, Ai është i Madhërishmi Allah.

“Të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit (Mbikëqyrësit) të gjithçkaje”!

Emri i Allahut “El-hajj”, d.m.th Ai është I Gjallë dhe I Përjetshëm, Absolut në dituri, dëshirë dhe fuqi, kurse emri “El-Kajjum” d.m.th. Ai është mbikëqyrës i përhershëm i çdo gjëje(9).
Ai është sigurues e garantues i furnizimit të çdo krijese e çdo sendi dhe ruajtës e mbikëqyrës i tyre(10).
Jeta e Allahut nuk është e ngjashme me jetën e krijesave të Tij, Ai veçohet dhe dallohet në mënyrë absolute. Jeta e Tij është “Ezelijje”- e përhershme, epërjetshme, që nuk ka fillim e as mbarim. Jeta e Tij nuk lidhet me kohën, sikurse jeta e varësia e krijesave. Allahu është i pashembullt, nuk I përngjet askush. Ai është shpikës dhe sistemues i çdo gjëje, çdo gjë varet nga dëshira e planifikimi i Tij. Prandaj, mbështetur në këtë koncept, myslimanët – jetën, veprat dhe synimet e tyre i kanë të përputhura me këtë program(11).
Ai është i përhershëm dhe jeta e Tij është nga cilësitë e Tij(12). Jeta e Tij manifeston madhështinë e Tij absolute në dituri, dëshirë, fuqi, krijim dhe shpikje. Ky fakt e bën të domosdoshme që mendja e shëndoshë e njeriut ta besojë Atë, ngase Ai është i vetmi me jetë të pavarur dhe absolute(13).
Ndërkaq, njeriu dhe të gjitha krijesat e tjera kanë nevojë për Krijuesin e tyre, ngase nuk mund të zhvillojnë jetë të pavarur. Krijesat janë të varura nga uji, ushqimi, ajri, shëndeti, pleqëria, vdekja, etj., prandaj nuk mund të kenë jetë të pavarur. E pse, vallë, të mos E besojnë njerëzit Zotin e Vërtetë?! Fakt i çuditshëm, apo jo?! Asgjë nuk ndodh pa fuqinë dhe lejen e Tij, sikurse dëshmon Fjala e Tij në Kuran: “Dhe një prej argumenteve të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij”. (Surja Er-Rum, 25).
Gjithashtu, përmendja e Emrit në origjinal “El-kajjum” – “Mbikëqyrës i përhershëm i çdo gjëje” në këtë formë gramatikore tregon se Allahu është mbikëqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm i çdo sendi në gjithësi në shkallën më të lartëabsolute. Në këtë formë kanë ardhur edhe emra të tjerë të Allahut, si p.sh “Gafur”, që manifeston shkallën më të lartë të mëshirës së Tij(14).
Prandaj, çdo gjë do ta ketë fundin, përveç Zotit të vërtetë – Allahut, sepse në Kuran tha: “Çdo gjë do të zhduket, përveç Tij (Allahut)“. (El-Kasas, 88).
Përmbajtja madhështore e kësaj pjese të ajetit nuk përjashton mundësinë që pikërisht këtu të gjendet Emri më madhështor i Allahut xh.sh., ngase përfshin kuptimet e ajeteve të tjera që përmbajnë argumentimin mbi Njëshmërinë e Allahut Fuqiplotë. Përderisa Ai është “El-Kajjum – Mbikëqyrës i përhershëm i çdo gjëje”, kjo nënkupton se Ai është i pavarur absolutisht duke mohuar mundësinë e ekzistimit të më shumë se një zoti, prandaj kjo konfirmon se çdo gjë përveç Tij, është kalimtare dhe çdo gjë në gjithësi varet nga vullneti i Tij(15).
I tillë është Allahu – Zoti i gjithësisë, Atë e ndiejmë me vetveten tonë bindëse, të përshkruar në këtë mënyrë absolute, dhe kjo na inkurajon për angazhim dhepërpjekje të vazhdueshme drejt zbatimit të normave të ligjit të Tij, rezultati i të cilave kthehet tek ne. Allahun xh.sh. e ndiejmë të tillë, ngase mbikëqyrja e përhershme e Tij ndaj nesh dhe çdo sendi në gjithësi, shton vullnetin tonë për mirënjohje e falënderim ndaj Tij për begatitë që na i ka dhuruar, dhe për largimin nga të këqijat e të ndaluarat. Zoti i gjithësisë – Allahu që adhurojmë ne, nuk vdes kurrë, ndërsa të gjithë zotat e trilluar nga pabesimtarët vdesin e përfundojnë. A nuk është kjo madhështore?! Pa dyshim që po! Prandaj, të jemi falënderues ndaj Tij, Atij I qofshim falë!

“Atë nuk e kaplon as dremitja (kotja), as gjumi”.

Meqë Allahu Fuqiplotë konfirmoi se është i përjetshëm dhe mbikëqyrës absolut ndaj gjithësisë dhe çdo sendi në të, atëherë kjo doemos rezulton maksimën “Atë nuk e kaplon as dremitja (kotja), as gjumi”. Kjo, sepse gjithësia dhe çdo gjë në të lëvizin në vazhdimësi, e kjo kërkon doemos që Atë mbikëqyrës të mos e kaplojë kurrsesi kotja dhe as gjumi, një fakt i konfirmuar në Kuran: “Me të vërtetë, Allahu mban ekuilibrin e qiejve dhe të Tokës, që të mos shkatërrohen. Kur ato nisin të shkatërrohen, askush nuk mund t’i mbrojë, përveç Tij”. (Fatir 41)(16).
Kështu vërtetohet mbikëqyrja absolute e Krijuesit ndaj krijesave dhe ndaj çdo gjëje përgjithësisht. Në të njëjtën kohë kjo vërteton se Allahu xh.sh. është i pashembullt dhe i pakrahasueshëm, që është konfirmuar në Fjalën hyjnore: “Asnjë send nuk është si Ai”. (Esh-Shura, 11).
Kjo përmban mohimin e plotë të çfarëdo lloj kotjeje dhe gjumi tek Fuqiploti, ngase kotja e gjumi u përkasin krijesave të cilat kanë nevojë doemos për pushim dhe gjumë, e janë të varura nga Krijuesi përgjatë jetës së tyre. Allahun nuk e kap kotja, gjumi, lodhja e as harresa, Ai është mbikëqyrës i çdo gjëje në çdo kohë dhe në çdo vend, dija e Tij përfshin çdo gjë. Fjala “Sinetun“ d.m.th. kotje, dremitje apo gjumë i lehtë. Dikush nga njerëzit rri ulur dhe përnjëherë kotet e zgjohet prapë, kurse fjala “nevm” d.m.th. gjumë i thellë. Pasi Allahu xh.sh. tha: “Atë nuk e kaplon as kotja…”, dikush do të mund të thoshte: Me të vërtetë Atë nuk e kaplon kotja, por a mund t’i rezistojë gjumit të thellë?. Prandaj Ai konfirmoi për vetveten me fjalët: “Atë nuk e kaplon as dremitja (kotja), as gjumi”. Në këtë mënyrë Zoti Fuqiplotë ua bëri me dije njerëzve se ata patjetër kanë nevojë për pushim, e Allahu xh.sh. nuk ka nevojë për asgjë, pra as për pushim. E pra, a kërkon njeriu më shumë argumente sesa Krijuesi t’i thotë: “Fli ti dhe pusho, sepse Zoti yt nuk fle”. Ç’do njeriu më shumë se kjo?! Njeriu fle me gjumë të thellë, por organizmi dhe zemra e tij funksionojnë pandërprerë, e kush do t’i mbikëqyrte, sistemonte dhe rregullonte ato nëse Zoti do të flinte?! Pra, Allahu nuk fle e as nuk kotet kurrë dhe s’ka nevojë për asnjërën(17).
Njeriu dhe krijesat e tjera nuk mund të jetojnë pa gjumë, e kjo nënkupton dobësinë e tyre të jashtëzakonshme, prandaj si mund të quhet zot njeriu që nuk mund të jetojë pa ushqim ose pa gjumë?! Allahu xh.sh. na bën të ndihemi krenarë, sepse Ai është i pavarur nga të gjitha mangësitë dhe kjo E bën të jetë me plot të drejtë Zoti i Vetëm i gjithësisë.

“Gjithçka ka në qiej dhe në Tokë është vetëm e Tij”

Kjo pjesë e ajetit konfirmon edhe një herë fuqishëm për mbikëqyrjen e Allahut xh.sh. ndaj çdo gjëje në gjithësi, ngase Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe gjithçka ka në to18. Kjo vërteton se çdo gjë është nën nënshtrimin, autoritetin dhe pushtetin e Tij të plotë, siç dëshmoi, kur tha: “Nuk ka tjetër, përveçse gjithçka është në qiej e në Tokë, ka për t’iu paraqitur Zotit si rob. Ai me diturinë e Vet i ka përfshirë të gjithë, dhe ka numëruar e evidentuar çdo gjë të tyre në mënyrë të saktë.
Dhe, në ditën e Kiametit, secili prej tyre do t’i paraqitet Atij i vetmuar”.(Merjem 93-95)(19).
Pasi Allahu konfirmoi se është i pavarur në ekzistim dhe mbikëqyrës e sigurues i çdo gjëje në gjithësi, atëherë del se: Çdo gjë në mënyrë absolute gjendet në posedim dhe nënshtrim të Tij, meqë gjithçka i është nënshtruar shpikjes dhe krijimit të Tij(20).
Përdorimi në origjinal i “ma” – “gjithçka ka”, edhe pse përdoret për krijesa pa logjikë, këtu ka për qëllim gjithë ç’ka në përgjithësi, çdo send dhe çdo gjë në univers, përveç Allahut Krijues. Kjo, sepse shumica e krijimit hyjnor, marrë në përgjithësi, i përket botës pa logjikë.(21).
Ai është i vetmi posedues i çdo gjëje, në mënyrë të plotë dhe të tërësishme. Ky posedim dhe mbizotërim i Allahut xh.sh. është i pakushtëzuar dhe pa rival. Aiështë edhe posedues i vërtetë i pasurisë së njerëzve, e njerëzit janë vetëm shfrytëzues të saj përkohësisht. Mbështetur në këtë, njerëzit duhet t’u përmbahen kushteve të vendosura nga ana e Poseduesit të vërtetë, dhe këto kushte – parime, i ka sqaruar Zoti i Madhëruar në Sheriatin – ligjin e Tij. Prandaj, njerëzit duhet t’i përmbahen këtij ligji, në të kundërtën ata janë keqpërdorues të pasurisë dhe mosmirënjohës ndaj Krijuesit të tyre. Kur Allahu tha: “Gjithçka ka në qiej dhe në Tokë është vetëm e Tij“, kjo nuk vërteton vetëm të vërtetën e konceptit islam në besim, por vendos edhe një rregull bazë për njerëzit përgjithësisht, së cilës duhet t’i përmbahen ata.(22).
Gjithashtu, mënyra e fillimit të kësaj pjese kuranore, në origjinal me “lehu” – “është vetëm e Tij” tregon “veçimin”, që nënkupton se pushteti dhe posedimi i çdo gjëje në gjithësi i përket vetëm Allahut xh.sh.(23).
Ja, Zoti i vërtetë – Allahu, meqë është Krijues dhe Mbikëqyrës i çdo gjëje, është e natyrshme që meriton me plot të drejtë të jetë edhe posedues e nënshtrues i çdo sendi. Nga kjo del se Ai me plot të drejtë meriton të jetë i vetmi Zot dhe të adhurohet me plot të drejtë nga çdo gjë dhe çdo send. Njeriu nuk mund të jetë posedues dhe nënshtrues i gjithësisë, i qiejve e i Tokës dhe çfarë ka në to, ngase është krijesë psiko-fizike e kufizuar në çdo gjë, dhe si i tillë, ai nuk mund të jetë Zot kurrsesi.

“Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij”

Këtë të vërtetë e konfirmoi Allahu xh.sh., ngase pabesimtarët e kohës së zbritjes së Kur’anit thoshin se i adhuronin idhujt vetëm për t’iu afruar Allahut xh.sh., prandaj, Ai u drejtohet atyre në bazë të aspektit kuptimor të ajetit: “Të Miat janë gjithçka ka në qiej dhe në Tokë, prandaj nuk duhet adhuruar dikush tjetër përveç Meje, e mos adhuroni zota të trilluar (idhujt), sepse ata nuk ju bëjnë kurrfarë dobie tek Unë dhe nuk mund të ndërmjetësojnë kurrsesi tek Unë, përveç atij që e lejoj Unë nga pejgamberet, të dashurit e Mi dhe të devotshmit”!(24).
Në të njëjtën kohë kjo konfirmon se Allahu xh.sh. do t’i lejojë për ndërmjetësim ata me të cilët është i kënaqur, si pejgamberët, engjëjt, dijetarët, ata që luftuan në rrugën e Tij, e të tjerë që i ka nderuar Ai, por që nuk mund të ndërmjetësojnë përveçse për ata me të cilët Krijuesi është i kënaqur, për se thotë: “Ata ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur”. (Surja El-Enbija, 28)(25).
Askush nuk mund të ndërmjetësojë përveçse me lejen e Tij, dhe kjo nga madhështia dhe lartmadhëria e Tij. Këtë e dëshmoi Allahu i Madhëruar edhe në shumë ajete të tjera, kur tha: “Sa engjëj ka që janë në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk bën dobi fare, veçse pasi të japë leje Allahu, për atë që dëshiron dhe që është i kënaqur me të”. (Surja En-Nexhm, 26).
Forma pyetëse e shprehur në këtë pjesë të ajetit ka kuptim mohimi, që domethënë: Askush nuk mund të bëjë ndërmjetësim – shefat përveç atij që ia lejon Zoti Fuqiplotë(26).
Allahu xh.sh. në këtë botë u ka dhënë të mira dhe begati të gjithë njerëzve, madje edhe pabesimtarëve, duke e lënë pasurinë në shfrytëzim të tyre, mirëpo në Ditën e Gjykimit pabesimtarët do të hyjnë në zjarr dhe nuk do të vlejnë besimet e tyre të kota me lloj-lloj ndërmjetësuesish, siç tha i Madhëruari: “Ata adhurojnë në vend të Allahut, atë që as nuk u bën dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu”! Thuaj: A po i tregoni Allahut për diçka që Ai nuk di se ç’ka në qiej dhe në Tokë?! Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që i shoqërojnë Atij (në adhurim).“27
Kjo pjesë e ajetit dëshmon gjithashtu argumentimin më të madh mbi pushtetin dhe madhështinë absolute të Allahut28. Kjo tregon madhështinë dhe lartmadhërinë e Tij dhe askush nuk mund të barazohet e të krahasohet me Atë, është i pavarur në vendimet e Tij që të lejojë atë që do, qoftë për ndërmjetësim a falje, dhe kurrsesi nuk mund ta pengojë askush me kryeneçësi apo armiqësi(29).
Kështu rezulton edhe me dëshpërim dhe mposhtje për pabesimtarët, ngase ata mendojnë përherë se zotat e tyre të trilluar janë ndërmjetësues tek Allahu xh.sh(30).

“Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë”

Kjo është një e vërtetë absolute që i ndihmon myslimanët për ta njohur Zotin e tyre dhe për të përcaktuar pozicionin – lidhjen e tyre me Krijuesin. Ky ështëargument i qartë, se dija e Allahut xh.sh. përfshin çdo gjë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e të gjitha krijesave. Kjo sikurse fjala dëshmuese e Allahut xh.sh., kur tregon për engjëjt: “(Xhibrili tha): Ne (engjëjt) zbresim vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Vetëm Atij i takon e tërë çështja e tashme, e ardhme dhe ajo në mes tyre, e Zoti yt nuk harron kurrë“. (Merjem, 64)
Kjo pjesë e ajetit konfirmon pushtetin e Tij absolut në gjithësi, duke sinjalizuar se dija e Tij përfshin qiejt e Tokën dhe ç’ka në to. Në mënyrë të veçantë ka për qëllim dijen e Tij për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen rreth njerëzve, pavarësisht nëse janë të mirë apo të këqij dhe çfarë do të jenë ata, nga se rezulton shpërblimi ose ndëshkimi, në varësi nga besimi dhe veprimet e tyre(31).
Allahu xh.sh. është absolut në dijen e Tij, dija e Tij përfshin çdo send, vetëm Ai I di fshehtësitë (gajbin) dhe Atij nuk mund t’i fshihet asgjë në gjithësi, prandaj tha: “Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush përveç Tij. Ai e di ç’ka në Tokë dhe në det; Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në librin e qartë (Levhi Mahfudh)”. (El-En’am, 59).

“Të tjerët nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron”

Askush nga krijesat nuk mund të dijë diçka, përveç asaj që ua ka mësuar dhetreguar Ai. Kjo mund të ketë edhe kuptimin se krijesat nuk dinë rreth qenies dhe cilësive të Allahut përveç aq sa i ka informuar Ai(32).
Allahu i Madhërishëm zbulon dhe paraqet pak nga dija e Tij për krijesat, duke u dhënë mundësi shkencëtarëve për zbulime, dhe kjo me lejen dhe vullnetin e Krijuesit për një zbulim të caktuar. Madje akoma pa u zbardhur një zbulim I caktuar, ai u ka shërbyer njerëzve edhe pa e njohur ata shërbimin e tillë, p.sh. forcën e gravitacionit Kjo, edhe pse ka qenë e pazbuluar, i ka shërbyer botës në vazhdimësi, po dhe shumë të tjera, një e vërtetë kjo e sqaruar në shumë ajete kuranore: “Ne do t’u tregojmë atyre argumentet Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që Zoti yt është Dëshmues i çdo gjeje”?! (Fus-silet, 53)(33).

“Kursija” e Tij (dija-sundimi) përfshin qiejt dhe Tokën”

“Kursija” ka për qëllim dijen dhe pushtetin e Tij absolut34. Disa nga komentuesit e Kuranit mendojnë se “Kursija” duhet të kuptohet ashtu siç ka ardhur në origjinal, duke mos u ndalur në komentimin e saj, e brenda këtij grupi disa thonë se ajo ka për qëllim Arshin (Fronin madhështor të Allahut). Disa të tjerë mendojnë se “Kursija” ka për qëllim madhështinë e pushtetitTij, fuqinë autoritative, dijen e Tij absolute dhe përfshirjen absolute të vullnetit të Tij ndaj çdo gjëje në gjithësi35. Nëse themi ka për qëllim: “Madhështinë e pushtetit të Tij”, kjo përputhet me pjesën vijuese të ajetit: “…kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë”, kurse nëse themi: “Madhështinë e dijes së Tij dhe përfshirjen e çdo gjëje” kjo përputhet me pjesën paraprake të ajetit: “të tjerët nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron”.
Mbështetur në këtë, mund të themi se “Kursija” ka për qëllim fuqinë, dijen dhe dëshirën absolute të Krijuesit36. Kjo pjesë e ajetit argumenton Madhështinë absolute dhe të pashembullt të Allahut xh.sh.37, ashtu siç edhe transmetohet se, pasi pati zbritur kjo pjesë e ajetit, shokët e Pejgamberit a.s. thanë: “O i Dërguar i Allahut, “Kursija” e theksuar përfshin qiejt dhe Tokën, e si është Arshi”? Atëherë, Allahu xh.sh u përgjigj me ajetin: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen në të djathtën (forcën) e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)”! (Ez-Zumer 67)(38).
Dija dhe sundimi i Allahut përfshijnë në tërësi qiejt dhe Tokën. Fjala “Kursijj”, për shkak të madhështisë së saj, përfshin qiejt dhe Tokën, një fakt i theksuar edhe në thënien profetike: “E çka janë shtatë qiejt në Kursijj, përveçse sikur shtatë dërhemë që hidhen në dollap“39. Pra “Kursijj” ka për qëllim dijen, pushtetin, sundimin dhe fuqinë e Krijuesit, që përfshijnë dhe mbizotërojnë çdo gjë. Krijimi i qiejve dhe i Tokës është edhe shumë më i madh se krijimi i njerëzve (shih:Gafir, 57).
Andaj, kur Allahu xh.sh. tha: “Kursijja e Tij (dija – sundimi) ka përfshirë qiejt dhe Tokën“, kuptohet se “Kursija” është më madhështore se qiejt e Toka, d.m.th “Kursija“i përfshin të dyja. Në anën tjetër, njerëzimi, me të gjitha përparimet shkencore dhe teknologjike ka arritur vetëm deri në Hënë, e cila është periferi e Tokës, kurse gjithësia është shumë e madhe. Qielli i parë dhe yjet janë me miliona vjet drite larg nga Toka dhe shumë e shumë më të mëdhenj. Dielli, që konsiderohet nga yjet shumë afër Tokës (në krahasim me shumë yje e planetë të tjerë), është larg nga Toka 93 milionë mila. Kurse, për të llogaritur largësinë e yjeve nga Toka, duhen vënë pas numrit shumë e shumë zero, gjë që e bën numrin të pavlefshëm, dhe pikërisht për këtë astronomët kanë zgjedhur si mjet për të përcaktuar largësinë e tyre, atë që e quajnë “vit drite“. Dihet se shpejtësia e dritës është përafërsisht 300.000 km. në sekondë, e, për të përcaktuar largësinë në mes nesh dhe yjeve, nevojiten llogari shumë precize. Kështu, ne befasohemi kur kuptojmë se drita e shumë yjeve arrin tek ne për rreth 50 vjet drite. E gjithë kjo brenda qiellit të parë të dynjasë, e ç’njohim ne për qiejt e tjerëqë i ka theksuar Krijuesi në Kuran?! Shumë madhështore dhe bindëse për njerëzit, apo jo?! Gjithashtu, kur Allahu xh.sh. përshkroi madhësinë e Xhenetit, tregoi se gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit dhe e Tokës, në Kuran tha: “Shpejtoni (garoni me njëri-tjetrin), duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe, për Xhenetin e gjerë sa qielli e Toka, i përgatitur për ata që I besuan Allahut dhe të Dërguarve të Tij “. (El-Hadid, 21)
Kjo është gjerësia e Xhenetit, i përgatitur për besimtarët, por a thua sa është gjatësia e tij apo madhësia e tij në tërësi?!
Mbështetur në gjithë këtë, duhet ta dimë se ka edhe shumë botë të tjera, përveç qiellit dhe Tokës, mirëpo mendja jonë nuk arrin dot ti perceptoj përveç asaj për se na ka informuar i madhi Allah, dhe, kur dëgjojmë fjalën e Allahut “Kursija e Tij (dija – sundimi) përfshin qiejt dhe Tokën“, për ne mbetet të imagjinojmë se sa madhështore është “Kursija” e Krijuesit(40).

“Kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë”

Kjo tregon Fuqinë absolute të Allahut xh.sh.. Për Allahun e Madhërishëm nuk është fare rëndë kujdesi ndaj qiejve e Tokës dhe ç’ka mbi to, nën to dhe në mes tyre, si: miliona e miliona galaktika në universin e mahnitshëm. Kjo gjë, për Zotin Fuqiplotë është shumë e lehtë. Ai ruan dhe kujdeset për ekuilibrin preciz dhe të çuditshëm të qiejve dhe Tokës, për se në Kuran deklaroi: “Me të vërtetë, Allahu i mban ekuilibrin e qiejve dhe të Tokës, që të mos shkatërrohen. Kur ato nisin të shkatërrohen, askush nuk mund t’i mbrojë, përveç Tij. Me të vërtetë, Ai është i Butë dhe Falës (i gjynaheve)“. (Fatir, 41)
Atij nuk i vjen fare rëndë mbajtja dhe ruajtja e qiejve dhe Tokës, ngase qenies së Tij absolute nuk i përket lodhja, se lodhja është cilësi e krijesave të Tij, e Allahu është Krijues i pakrahasueshëm dhe i pashembullt. Ai, me dëshirën, mbikëqyrjen dhe ligjet e Tij, mban balancën e gjithësisë në mënyrë perfekte dhe asgjë nuk ndodh përveçse me dëshirën dhe vullnetin e Tij (shih: Er-Ra’d, 8-9)41

“Ai është më i Larti, më i Madhi (Madhështori)”

Derisa e gjithë kjo gjithësi e çuditshme është nga krijimtaritë e Allahut Fuqiplotë, cilësimi i vetvetes së Tij me “Ai është më i Larti, më i Madhi“ është shumë i natyrshëm. Emri – cilësia “më i larti“, si formë gramatikore e shprehur në shkallën e sipërisë absolute, tregon se Ai është më i larti e më madhështori absolutisht. Ky përfundim i ajetit me këto cilësi tëAllahut xh.sh. vërteton veçimin e Tij me “është më i Larti, më i Madhi“, dhe ardhja e këtyre emrave me nyjën shquese tregon “veçimin“, që do të thotë se vetëm Allahu “është më i Larti, më i Madhi“, pa asnjë rivalitet(42).
Pra, i lartësuar mbi çdo krijesë dhe më i Madhi që nuk ka më madhështor se Ai në mënyrë absolute43. Zoti, i cilësuar me të gjitha këto cilësi madhështore, që rezulton me cilësi absolute dhe e dëshmon Atë absolut në të gjitha aspektet ndaj gjithësisë, dëshmon se është i pakrahasueshëm, i pashembullt, absolut në dijen, fuqinë dhe vullnetin e Tij, prandaj meriton të quhet Zot e të adhurohet me plot të drejtë.
Si rezultat i gjithë kësaj ky ajet ka kuptim madhështor dhe vlerë shumë të madhe, prandaj dijetarët janë përpjekur të gjejnë urtësinë apo fshehtësinë e kësaj vlere. Njëri prej tyre ka thënë: “Shikoni Emrat (cilësitë) e Allahut që gjenden në këtë ajet”. Disa nga dijetarët kanë numëruar në të 16 emra të Zotit xh.sh., e disa të tjerë 17, disa 1844, e deri në 21 emra të bukur të Allahut. Pra, në këtë ajet janë përmendur shumë emra të bukur të Krijuesit dhe pikërisht për këtë është ajet madhështor(45).
Ja, për këtë arsye Muhamedi a.s. ka thënë: “Ajeti më madhështor në Kur’an është “Ajetul Kursija”(46).

_________________________
1. Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kur’an, vëll. i parë, faqe 286, viti i bot. 1996, Kajro
2. Muhamed Ebu Zehra, Zehretu Et-Tefasir, faqe 930, Darul-Fikr El-Arabij, viti
i bot. 1987, Kajro
3. Imam Sujutiu, Eddurru Elmenthuru fi Et-Tefsiri Bil Me’thuri, vëll. i tretë, fq.
173. Shih gjithashtu Tefsirin e Ibni Kethirit, Tefsir El-Kuran El-Adhim, vëll. i
parë, faqe 305, viti i bot. 1981, Kajro.
4. Tefsiri i Ibni Kethirit, vëll. i parë, faqe 307.
5. Ebu Zehra, Zehretu Et-Tefasir, fq 930
6. Tefsir El-Vadih, Muhamed Mahmud Hixhazi, vëll. i parë, faqe 169, viti i bot.
1992, Kajro
7. Tefsiri i Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 1087- 1090.
8. Ebu Zehra, Zehretu Et-Tefasir, fq. 931-932
9. Tefsir El-Vadih, Muhamed M. Hixhazi, vëll. i parë, faqe 169
10. Tefsir Et-Taberijj, Xhamiul Bejani an Te’vili Aj El-Kuran, vëll i 4, faqe 528,
viti i bot. 2001, Kajro
11. Tefsiri i Sejjid Kutubit, Fi Dhilalil Kur’an, vëll. i parë, faqe 287.
12. Tefsir El-Begavijj, Mea’limu Et-Tenzili, vëll. i pare, fq. 312, viti i bot. 1409
h, Rijad
13. Ebu Zehra, Zehretu Et-Tefasir, fq 932
14. Tefsiri i Sharaviut, fq 1094
15. Tefsir El-Fahru Er-Razi, Mefatihul-Gajb, vëll. i 7, faqe 5, botimi i parë 1981,
Darul- fikr, Bejrut
16. Ebu Zehra, Zehretu Et-Tefasir, fq 934
17. Tefsiri i Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 1097
18.Ahmed Mustafa El-Meragi, Tefsir El-Meragi, komentimi i xhuzit të tretë, faqe
12, viti 1946 botimi i parë, Kajro
19. Tefsiri i Ibni Kethirit, faqe 309.
20. Tefsir El-Fahru Er-Razi, Mefatihul-Gajb, fq 6.
21. Ibid. fq 9.
22. Tefsiri i Sejjid Kutubit, vëll. i parë, faqe 288.
23. Ebu Zehra, Zehretu Et-Tefasir, fq 936.
24. Tefsir Et-Taberijj, vëll I katërt, fq 535
25. Tefsiri i Kurtubiut, fq 271
26. Ebu Zehra, Zehretu Et-tefasir, fq 936
27. Tefsiri i Sharavit, vëll. i dytë, faqe 1098. Ajeti 18 i kaptinës Junus.
28. Ebu Hajan El-Endelusi, Tefsir El-Bahru El-Muhit, vëll i dytë, fq. 288, viti i
bot. 1993, Bejrut
29. Tefsiru El-Bejdavij, Envaru Et-Tenzil ve Esraru Et-Te’vil, vëll. i parë, fq 134,
viti i bot. 1999, Bejrut
30. Ruhul Meani fi Et-Tefsir El-Kuran El-Adhim ve Es-sb’ul Methani, Imam Al-
Alusi, komentimi i xhuzit të tretë, fq 9, pa vit botimi, Bejrut.
31. Ebu Zehra, Zehretu Et-tefasir, fq 938
32. Tefsir Ibni Kethir, fq 309
33. Tefsiri i Sharaviut, fq, 1100
34. Tefsiri i Zemahsheriut, El-Keshaf an Hakaiki Gavamid et-tenzil ve Ujun El-
Ekaviil fi Vuxhuhi Et-te’vil, vell i pare, faqe 483, viti i bot. 1998, Rijad
35. Të dy këto mendime janë transmetuar edhe nga selefi (gjenerata e parë në islam).
Se fjala “Kursijj” ka për qëllim dijen e Allahut xh.sh. transmetohet edhe
nga Ibni Abasi, Ibni Mesudi dhe nga komentatori tradicional i Kuranit Ibni
Xherir Et-Taberijj. (Tefsiri i Ebu Zehras fq. 940).
36. Ebu zehra, Zehretu Ettefasir, fq. 939-940.
37. Tefsiru El-Bejdavij, Envaru Et-Tenzil ve Esraru Et-Te’vil, vëll i parë, fq 134,
viti i bot 1999, Bejrut
38. Tefsiri Et-Taberijj, vell I 4, faqe 539
39. Tefsir El-Xhelalejni, faqe 42, viti i botimit 1995, Damask. Hadithi transmetohet
edhe në Tefsirin e Imam Taberiut nga Ibni Zejdi, fq. 539. Ky hadith transmetohet
edhe në Tefsirin e Ibni Kethirit, fq 309, Tefsirin e Ebu Hajanit, fq.
290, etj.
40. Tefsiri i Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 1105 – 1106
41. Ebu Zehra, Zehretu Et-Tefasir, fq 941
42. Tefsiri i Sejjid Kutubit, vëll. i parë, faqe 290
43. Tefsir El-Begavijj, vëll. i parë, fq. 313
44. Tefsir El-Kurtubijj, vëll. i 4, fq 267
45.Tefsiri i Sharaviut, vëll. i dytë, faqe 1109
46. Transmetohet nga Muslimi, Ahmedi etj. Tefsiri i Imam Alusit, fq. 11

Mr. Adnan Simnica