Aksidenti i autobusit, ndërron jetë edhe një nga udhëtarët e lënduar

 Në Klinikën për anestezion, reanimim dhe mjekim intensiv KARIL në Shkup sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë edhe njëri nga udhëtarët e lënduar të cilët pësuan në aksidentin e autobusit në autostradën Shkup-Tetovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bëhet fjalë për viktimën e 15-të, burrë i moshës 39 vjeçare.

Siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë, udhëtari gjatë aksidentit kishte marrë lëndime të rënda në pjesën e gjoksit dhe menjëherë ishte dërguar në spitalin “8 Shtatori”. Por, për shkak të lëndimeve serioze gjatë natës menjëherë është dërguar në KARIL.

Ndaj të lënduarit janë kryer dy operacione natën e njëjtë kur është dërguar në Klinikën për anestezion, reanimim dhe mjekim intensiv për shkak të gjakderdhjes së madhe nga mushkëritë. Për fat të keq si pasojë e lëndimeve të rënda mëngjesin e sotëm ndërroi jetë.

Kujtojmë se autobusi me rreth 50 pasagjerë doli nga rruga dhe u rrokullis në autostradën Shkup-Tetovë pranë fshatit Llaskarcë më 13 shkurt.

Shtatë persona humbën jetën në vendin e ngjarjes ndërsa të tjerët iu nënshtruan plagëve në spitalet ku u shtruan për trajtim.

Autoritetet ende janë duke hulumtuar shkaqet që çuan deri në aksidentin fatal.