Aksioni i djeshëm i policisë, 30 persona të arrestuar për krim të organizuar e kontrabandë

Prokuroria Speciale ka dhënë detaje lidhur me operacionin e djeshëm ku u kryen disa arrestime në pjesën veriore, si dhe në qytetet tjera të Kosovës.

Në raportin 24 orësh është bërë e ditur se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka arrestuar 30 persona për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 dhe “Marrja e Ryshfetit” nga neni 428 i KPRK-së, “Pengim i të Provuarit apo Procedurës zyrtare” nga neni 394 paragrafi 2, “Kontraband” me mallra” sipas nenit 317 të KPRK-së, “Tregti e ndaluar” sipas nenit 305, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” sipas nenit 317 të KPRK-së, dhe dhënia e ryshfetit nga neni 429 të KPRK-së.

Po ashtu, Prokuroria Speciale ka marrë një Aktvendim mbi zgjerimin e hetimeve.

Ndërkaq, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë ndaluar 52 persona për vepra të ndryshme penale, si dhe, janë bërë 7 kërkesa për caktimin e paraburgimit të 48 personave për 48 orë.

Po ashtu, nga prokuroritë themelore janë bërë 6 kërkesa për sekuestrim të përkohshëm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me urdhër të prokurorit kujdestar ka ndaluar tre (3) persona.

Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur gjithsej 19 aktakuza, ndaj 19 personave.

Gjatë 24 orëve të fundit në Prokurorinë Themelore në Prizren, janë bërë dy (2) kërkesa për paraburgim për nëntë (9) persona. Në Departamentin e Përgjithshëm janë ngritur trembëdhjetë (13) aktakuza, për tetëmbëdhjetë (18) persona.

Ndërsa, në Departamentin e Krimeve të Rënda, është ngritur një (1) aktakuzë për një (1) person.

Prokuroria Themelore e Pejës, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar gjithsej 5 persona për 48 orë, përkatësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda, janë ndaluar dy të mitur për shkak të veprës penale “Lëndim i Rëndë”, po ashtu, lidhur për një rast të ndodhur në Vrellë të Istogut, ku ka humbur jetën një person nga shembja e murit, është hapur rasti për veprën penale “Hetim i Vdekjes”. Kurse në Departamentin e Përgjithshëm, janë ndaluar tre persona, dy për shkak të veprës penale “Dhunë në familje”, kurse një tjetër për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Gjithashtu, kjo prokurori gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur gjithsej 13 aktakuza, ndaj 13 personave të pandehur për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur pesë aktakuza.

Ndaj 6 (gjashtë) personave, ka paraqitur 1 (kërkesë) për sekuestrim të përkohshëm, si dhe ka paraqitur 3 (tri) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj 3 (tre) personave, në Gjykatën kompetente në Gjilan.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, për 24 orët e fundit ka ngritur 11 aktakuza, kundër 12 personave, për vepra të ndryshme penale.

Gjithashtu, me urdhër të Prokurorit të shtetit janë ndaluar 2 persona për 48 orë për veprat penale ” Dhunë në Familje”, dhe “ Sulmi”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë ndaluar shtatë (7) persona, për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Pengim i personave zyrtarë”.Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë një kërkesë për caktimin e paraburgimit për gjashtë (6) persona, si dhe aktvendim për fillimin e hetimeve për 8 persona për veprën penale “Pengim i personave zyrtarë” nga neni 401 KPRK.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë një (1) kërkesë për sekuestrim me një person për veprën penale nga neni 390 i KPRK-së.

Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie, ka ngritur 26 aktakuza për 26 persona për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Ferizaj- Departamenti i Krimeve të Rënda, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar pesë (5) persona për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm “ nga neni 367/1, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 , “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge “ nga neni 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria Themelore në Ferizaj-Departamenti i Përgjithshëm gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur njëzetë e shtatë (27) aktakuza ndaj tridhjetë e gjashtë (36) personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë tri (3) kërkesa për sekuestrim, dy prej tyre në Departamentin e Krimeve të Rënda, ku janë sekuestruar:

një revole
dy gëzhoja,
13 gr. marihuanë dhe
700 euro para
Ndërsa, në Departamentin e Përgjithshëm është bërë një kërkesë për sekuestrim të përkohshëm të veturës Audi 80.