Aktakuzë ndaj “Kobrës” për rastin e vrasjes së të riut nga Kukësi

Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, Dibran Hoxhajt, i njohur si “Kobra dhe katër personave të tjerë me inicialet R.S., A.V., B.M dhe J.B., për vrasjen e të riut nga Kukësi që ka ndodhur më 3 janar të vitit 2023.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri D.H., akuzohet për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së, si dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkohë të pandehurit R.S. dhe B.M. akuzohen për veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389 paragrafi 1 i KPRK-së.

Ndërkaq, të pandehurit R.S., J.B. dhe A.V. thuhet se akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Po ashtu, të pandehurit R.S dhe J.B akuzohen se e kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë më datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C., duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh., të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B., që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.