Avokatët e aktivistëve të burgosur të lidhur me grupin protestues Palestine Action kanë paralajmëruar qeverinë britanike me veprime ligjore, pasi ministrat e lartë kanë refuzuar të takohen me ta për të diskutuar gjendjen shëndetësore dhe kushtet e burgimit të grevistëve të urisë.
Firma ligjore Imran Khan & Partners dërgoi të hënën një letër paralajmëruese para-padie, duke njoftuar se do të ndjekë çështjen në Gjykatën e Lartë nëse autoritetet nuk reagojnë deri të martën pasdite. Tetë aktivistë, të moshës 20 deri në 31 vjeç, kanë hyrë në një grevë urie të koordinuar që nga 2 nëntori, me shqetësime në rritje se një ose më shumë prej tyre mund të humbasin jetën në burg.
Familjarë dhe miq kanë raportuar për përkeqësim serioz të shëndetit të tyre dhe shtrime të përsëritura në spital. Avokatët kanë kërkuar prej kohësh një takim me Sekretarin e Drejtësisë, David Lammy, duke argumentuar se ndërhyrja e tij mund të shpëtojë jetë. Qeveria, megjithatë, ka refuzuar, duke deklaruar se grevat e urisë nuk janë të pazakonta në burgje dhe se po ndiqen procedurat standarde mjekësore.
Avokatët e cilësojnë këtë si grevën më të madhe të koordinuar të urisë në Britani që nga viti 1981, duke paralajmëruar për rrezik serioz për jetën e të ndaluarve, pasi disa prej tyre kanë kaluar mbi 50 ditë pa ushqim. Aktivistët akuzohen për hyrje të paligjshme dhe çrregullim të dhunshëm, lidhur me protesta kundër kompanisë izraelite të mbrojtjes Elbit Systems dhe një baze të Forcave Ajrore Mbretërore; ata i mohojnë akuzat.
Të gjithë të ndaluarit kanë kaluar mbi një vit në paraburgim, përtej afatit të zakonshëm gjashtëmujor në Mbretërinë e Bashkuar. Pesë kërkesat e tyre përfshijnë lirimin me kusht, të drejtën për një gjyq të drejtë dhe heqjen e ndalimit të Palestine Action, të shpallur nga qeveria britanike si grup “terrorist” në korrik.
Avokati i njohur i të drejtave të njeriut, Michael Mansfield, ka mbështetur thirrjet për ndërhyrje urgjente të qeverisë, duke paralajmëruar për shkelje të rënda të të drejtave themelore, përfshirë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për kujdes shëndetësor dhe trajtim njerëzor. Ministria e Drejtësisë ka mohuar akuzat për keqtrajtim dhe ka deklaruar se nuk mund të komentojë raste individuale. /mesazhi








