Aktivisti i PDK-së e “mbulon” me dinarë Martin Berishajn

Aktivisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Milot Krasniqi, e ka “mbuluar” me dinarë të printuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, teksa po mbahej Forumi Ekonomik Kosovë – Kroaci të enjten në Prishtinë.

Sipas njoftimit të PDK-së, ky aksion u zhvillua në shenjë proteste për aferën e madhe financiare që Berishaj është përfshirë dhe tregtimin e energjisë me kompaninë GEN me seli në Beograd.

“Ambasadori Martin Berishaj është paguar miliona euro nga GEN-I i Serbisë, para të cilat janë tërhequr dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar. Është e papranueshme dhe e pafalshme mbrojtja që po i bëhet ambasadorit Berishaj nga Kryeministri Kurti”, thuhet në njoftim.

Sipas PDK-së, Berishaj si ambasadorë me aktakuzë nuk mund të jetë përfaqësues i denjë i Republikës së Kosovës në Kroaci, përkundrazi sipas tyre, sa të vazhdojë të jetë në detyrë do të dëmtojë seriozisht imazhin e Kosovës.

“Në Prishtinë ai duhet të vijë vetëm për t’u ballafaquar me drejtësinë dhe të jap llogari për skandalin në të cilin është përfshirë. E vërteta nuk do të mund të fshihet, përkundër mbrojtjes së pakuptueshme dhe të dyshimtë që po i bëhet, sado e madhe të jetë piramida e këtij skandali”, thuhet në reagim.

PDK-ja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistit të tyre, që u arrestua nga Policia.

Berishaj sot para mediave i mohoi edhe një herë akuzat ndaj tij, duke i quajtur si spekulime me prapavijë politike.