Akuzë e re për korrupsion kundër ish-kryeministrit Sanader

ATSH/ – Një gjykatë në Zagreb filloi procesin e ri gjyqësor kundër ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader, me akuzën për ryshfet nga banka austriake “Hipo Alpe Adrija”.

Sipas aktakuzës, Sanaderit i është paguar ryshfet nga banka austriake me vlerë 500 000 euro.

Prokuroria në fjalën hyrëse vlerësoi se niveli i lartë i korrupsionit në Kroaci gjatë luftës në gjysmën e parë të viteve ’90 të shekullit të kaluar, “ka rrezikuar shtetin kroat”.

Sanadar, i cili ishte kryeministër i Kroacisë nga viti 2004 e deri në 2009, deklaroi se ishte i pafajshëm.

Në vitin 2014 Sanaderi ishte dënuar për marrje ryshfeti, jo vetëm nga “Hipo Alpe Adrija”, por dhe nga kompania hungareze e naftës MOL.

Megjithatë, Gjykata Supreme e Kroacisë e pezulloi aktvendimin për shkak të shkeljes së procedurës.

Sanader është zyrtari më i lartë kroat, i cili po gjykohet nën akuzën për korrupsion.