Albin Tahiri arrin rezultatin më të mirë në histori të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore, përfundoi i 15-ti

Skitari ynë, Albin Tahiri ka arritur të marrë rezultatin më të mirë personal, por edhe të Kosovës në një garë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.

Tahiri ka zënë vendin e 15-të në garën e dytë nga 27 garues në disiplinën e kombinimit alpin, që përbëhet nga lëshimi dhe sllallomi.

Në garën e parë, atë të lëshimit, 32-vjeçari kosovar ishte i 22-ti.

Kjo është pozita më e mirë në karrierën e tij në Lojërat Olimpike Dimërore dhe po ashtu rezultati më i mirë për Kosovën.

Albini do të garojë edhe më 13 dhe 16 shkurt, në sllallom të madh dhe sllallom.

Komiteti Olimpik i Kosovës e ka përgëzuar Tahirin për renditjen dhe i ka uruar fat.