Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani ka bërë hapin më të madh në karrierën e tij deri më tani, pasi prej sezonit 2026/27 do të paraqitet në Serie A të Italisë.
Rrahmani, të enjten është prezantuar te Venezia, skuadër kjo e rikthyer në elitën e futbollit italian.
Sulmuesi kosovar me skuadrën italiane ka firmosur kontratë valide deri në verën e vitit 2029, ndërsa është transferuar nga Sparta e Pragës.
“Venezia FC njofton transferimin përfundimtar të sulmuesit Albion Rrahmani nga Sparta e Pragës”, ka shkruar ekipi italian në njoftim, në të cilin ka përmendur klubet e mëparshme dhe statistikat e Rrahmanit.
Detajet e trannsferimit nuk janë bërë publike, por më herët është raportuar se Venezia do të paguajë në total 9.5 milionë euro, përfshirë këtu edhe bonuset për shërbimet e Rrahmanit.
25-vjeçari ishte pjesë e Sparta Pragës prej verës së vitit 2024 kur iu bashkua nga Rapidi i Bukureshtit, ekip ku u transferua nga Ballkani i Suharekës në verën e vitit 2023.
“Venezia është një klub me histori të pasur dhe një projekt shumë ambicioz për të ardhmen. Kemi diskutuar gjatë për këtë dhe jam impresionuar vërtet nga vizioni dhe objektivat e klubit. Të përfaqësosh një qytet kaq unik e prestigjioz, i mbështetur nga tifozë kaq të ngrohtë e të apasionuar, është një burim i madh motivimi për mua”, ka thënë Rrahmani në prezantimin e tij.
“Nga ana ime, do të jap gjithmonë maksimumin. Së bashku me shokët e skuadrës, do të luftojmë në çdo ndeshje për të arritur objektivat e ekipit dhe për t’u dhuruar shumë gëzim tifozëve tanë”.
Rrahmani, gjithashtu ka edhe 25 ndeshje dhe 7 gola të shënuar për Kombëtaren e Kosovës.







